Bushati: Nuk duhen 100 prokurorë. Xhaçka: Ejani në shesh
Partia Socialiste ka hedhur dje poshtë propozimin e Kryeministrit Sali Berisha për hetimin paralel të zgjedhjeve nga 100 prokurorë, teksa i fton publikisht shqiptarët në protesta. Në një konferencë për shtyp, deputeti Ditmir Bushati ka deklaruar se ideja e kreut të qeverisë është e papranueshme dhe pa kuptim, në një kohë kur shumica refuzon hetimin e mirëfilltë parlamentar. “Për sa i përket propozimit të vjetër të Sali Berishës për hetimin e zgjedhjeve nga një grup prej 100 prokurorësh, do të thosha se nuk duhen 100 prokurorë, por vetëm një mazhorancë që zbaton Kushtetutën dhe nuk pengon transparencën”, u shpreh Bushati. Ai nënvizoi se vullneti i shumicës për të hetuar zgjedhjet e 28 qershorit dhe për transparencën e tyre u dëshmua me ngritjen e komisionit hetimor, i cili me tërheqjen e PS-së rrezikon të kthehet në një problem më shumë në debatin e ndezur politik.
HetimiPropozimi i bërë nga Berisha, përveç aspektit propagandistik, vjen kështu si një riformulim i idesë së kahershme të shumicës për adresimin e hetimit në organin e akuzës, një sugjerim që ndër të tjera mund të sillte penalitete për komisionerët e partive. I vlerësuar si diversion, edhe gjatë seancës së fundit plenare, sugjerimi i shumicës ka përforcuar qëndrimin e PS-së për transparencë vetëm përmes korrektimit të vendimit të fundit të Kuvendit lidhur me komisionin hetimor, i cili duhet të marrë në konsideratë objektin hetimor të opozitës. “Transparenca e kutive dhe kontrolli i zbatimit të ligjeve është detyra kushtetuese e ligjvënësit. Nuk duhen 100 prokurorë, mjafton një komision hetimor që nuk ndalohet të hapë kutitë”, vijoi më tej Bushati. Propozimi për ngritjen e komisionit hetimor, por në termat e kërkuara prej PS-së, paralelizon aksionin e saj për protesta, duke mbajtur të hapur një dritare negocimi. Të paktën nga ajo çfarë deklaroi dje deputeti socialist, mund të merret me mend se një rishikim i vendimit të fundit të Kuvendit dhe një rikonsiderim i kërkesave ligjore të opozitës, mund të sjellë një qetësim relativ të situatës dhe largimin e saj nga hullitë radikale për zgjedhje të parakohshme. Ribërjen e komisionit e hodhi dy ditë më parë edhe deputeti tjetër i PS-së, Damian Gjiknuri, i cili në një prononcim për gazetën “Shqip”, u shpreh se rruga ligjore në këtë situatë parashikon vetëm mundësinë e legalizimit të objektit hetimor të opozitës dhe që është hapja e kutive. Legjitimiteti i cunguar i komisionit të miratuar dhe pamundësia e konstituimit të tij po transformohen kështu në fitore taktike të PS-së, që ditë pas dite po merr oferta të reja nga shumica në pushtet. Argument shtesë në këtë lojë deklaratash po kthehet edhe qëndrimi i komunitetit ndërkombëtar që të paktën për sa i përket seancës së fundit, i ka tërhequr vëmendjen shumicës aktuale. “Partnerët tanë ndërkombëtarë thanë shkoqur se komisioni hetimor i ngritur nga mazhoranca është një hap i padobishëm që e thellon me tej krizën dhe nuk e zgjidh atë”, u shpreh Bushati në një replikë që flet se komunikimi politik mes palëve është ende në pikë kritike.
ProtestatPërveç kauzës së zgjedhjeve, opozita do t’u japë protestave të prillit edhe përmasën ekonomiko-sociale. Rritja e çmimeve, kostoja e jetesës, faturat e energjisë elektrike, politika fiskale e qeverisë, me një fjalë gjithçka që shqetëson jetën e përditshme të qytetarit shqiptar, do të afishohen si devizë e lëvizjes së re të opozitës. “Për të gjithë atë mori problemesh që ne të gjithë e përjetojmë në jetën tonë të përditshme, sot u bëjmë thirrje shqiptarëve që të na bashkohen në një valë të pandalshme protestash kundër kësaj qeverie, e cila sot, më pak se kurrë, ka legjitimitetin për të na qeverisur”, apeloi dje nga selia e PS-së, deputetja Olta Xhaçka. Nëse ky dimension i munguar i protestave kryesisht politike të shqiptarëve do të afishohet si udhëheqës i nismës së re socialiste, mund të thuhet se opozita po u drejtohet qytetarëve në emër edhe të zgjidhjes së krizës ekonomike në vend. Një krizë që mohohet prej qeverisë pas statistikave dhe deklaratave të zyrtarëve të ndryshëm që asistojnë ecurinë e Shqipërisë. Xhaçka ka ripërsëritur me këtë rast shifra dhe të dhëna konkrete që lidhen drejtpërsëdrejti me situatën ekonomike në vend, prej së cilës PS po shpreson që të kanalizojë një mobilizim masiv njerëzish të pakënaqur.
#