E Diel, 1 Nëntor 2026

Liberalizimi i vizave dhe integrimi i vendit, në fokus të bisedimeve

Ftohet nga homologu Franko Fratini. Ilir Meta zgjedh Italinë për të zhvilluar vizitën e parë zyrtare jashtë vendit

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta u nis dje për një vizitë zyrtare dyditore në Itali, me ftesë të homologut italian, Franko Fratini. Shefi i diplomacisë shqiptare zgjodhi shtetin fqinj, për të zhvilluar vizitën e tij të parë zyrtare jashtë vendit, një hap ky kurajues në kuadër të intensifikimit të bashkëpunimit dypalësh mes dy vendeve.

Të dy homologët, gjatë bisedimeve pritet të trajtojnë, me përparësi, ecurinë e marrëdhënieve dypalëshe dhe shumëpalëshe mes dy vendeve, emigracionin shqiptar në Itali, zhvillime të politikës rajonale, si dhe çështje që kanë të bëjnë me axhendën e integrimit evropian të Shqipërisë, veçanërisht procesin e liberalizimit të vizave.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Meta do të zhvillojë, gjithashtu, një sërë takimesh me personalitete të larta të politikës italiane, si dhe me ambasadorë të vendeve të akredituar në vendin tonë, me rezidencë në Romë.

Meta takohet me Drejtorin Ekzekutiv të kompanisë Bankers Petroleum Ltd. Badwi

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta priti dje në një takim Presidentin dhe Drejtorin Ekzekutiv të kompanisë Bankers Petroleum Ltd, Abby Badwi Në takim, Meta theksoi rëndësinë e madhe që kanë investimet e huaja në zhvillimin e ekonomisë shqiptare. Në këtë kontekst, ai vlerësoi investimet që kompania kanadeze Bankës Petroleum Ltd ka kryer vitet e fundit, të cilat kapin shifrat e 200 milion dollarëve.

Gjithashtu, ministri i Jashtëm shprehu angazhimin e qeverisë shqiptare për të krijuar një klimë biznesi më tërheqëse për investitorët kanadezë, jo vetëm në sektorin e hidrokarbureve, por edhe në fusha të tjera të ekonomisë, në të cilat kompanitë kanadeze kanë rol udhëheqës në botë.

“Vizita e fundit e Kryetarit të Dhomës së Senatit Kanadez Noel Kinsella në Shqipëri është një shenjë pozitive për forcimin e marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve”, theksoi Meta.

Nga ana e tij, Badwi vlerësoi pozitivisht bashkëpunimin me qeverinë shqiptare. Ai e informoi Metën mbi planet e zhvillimit dhe investimit të kompanisë Bankës Petroleum Ltd në fushën naftëmbajtëse të Patos-Marinzës, me një vlerë totale projekti prej 400 milion USD, për 3 vitet e ardhshme. Badwi theksoi në fund të takimit se potencialet ekonomike të Shqipërisë në sektorët e energjetikës,transportit, apo shërbimeve janë ftesë në të ardhmen e afërt për investitorët kanadezë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›