E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria, në listën e bardhë të shteteve që s’do të kenë viza

Komisioni i Parlamentit Evropian për Liritë Civile, Drejtësinë dhe Punë të Brendshme miratoi dje raportin e prezantuar nga eurodeputetja sllovene Tanja Fajon për heqjen e vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor. Komisioni mbështeti nen për nen amendamentet e Fajon, për përfshirjen edhe të Shqipërisë në listën e bardhë të “Shengenit”, krahas Maqedonisë, Serbisë dhe Malit të Zi. Shpresa për vënien në zbatim të rekomandimit, që në janar të 2010-s

Shqipëria është pjesë e listës së bardhë të “Shengenit”. Pas një serie reagimesh dhe kritikash nga anëtarë të parlamentit evropian ndaj Komisionit Evropian, për ndasitë e sajuara në rajonin e Ballkanit, më në fund edhe Shqipëria me Bosnje Hercegovinën bëhen pjesë e listës së bardhë të lëvizjes së lirë, duke iu bashkangjitur kështu, vendeve si Mali i Zi, Maqedonia dhe Serbia. Kur kanë kaluar më pak se tre javë nga propozimi i projekt-raportit të europarlamentares sllovene, Tanja Fajon, për çështjen e liberalizimit të vizave, Komisioni i Parlamenti Evropian gjatë seancës së fundit plenare, arriti një kompromis historik, duke futur Shqipërinë në listën e bardhë të “Shengenit”. Pas mbështetjes nga Komiteti i Jashtëm, raporti i Tanja Fajon ka marrë kështu edhe votat e Komitetit europarlamentar për Lirinë, Drejtësinë dhe Çështjet e Brendshme.

Presionet politike brenda parlamentit në njërën anë dhe Komisionit në anën tjetër kanë çuar në gjetjen e një kompromisi, që përshpejton procesin e heqjes së vizave “Shengen” me qëndrim afatshkurtër për Shqipërinë dhe Bosnjën. Kjo parashikohet të realizohet para qershorit të ardhshëm, sipas raportueses Tanja Fajon, para së gjithash, argumenton ajo, këto dy vende duhet të plotësojnë kushtet. 

Në seancën plenare, Komisioni i Parlamentit Evropian për Liritë Civile, Drejtësinë dhe Punë të Brendshme, miratoi me konsensus raportin e prezantuar nga eurodeputetja sllovene Tanja Fajon për liberalizimin e vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Anëtarët e Parlamentit Evropian, vendosën që, në bazë të projekt-raportit të europarlamentares Fajon, Shqipëria dhe Bosnja bëhen pjesë e listës së vendeve që, pritet të liberalizojnë vizat më 1 janar të 2010-ës, në raport kjo me realizmin e reformave të nevojshme, për të cilat Komisioni Evropian ka dhënë udhëzimet përkatëse qeverive të Shqipërisë dhe Bonjës.

Parlamenti Evropian u shpreh se dialogu për liberalizimin e vizave, për të gjitha vendet, do të zbatohet në bazë të një pozite të barabartë, pa asnjë diskriminim dhe njëherazi do të zbatohen kritere të njëjta për të gjitha vendet e interesuara.

Në bazë të ecurisë së reformave dhe progresit të vendeve, thanë deputetët e PE,  Komisioni Evropian duhet të raportojë, në fillim të 2010, si dhe nga ana tjetër, të fillojë një dialog për vizat me Kosovën.

Ata vlerësuan se Shqipëria dhe Bosnje Hercegovina kishin bërë përparim të mëtejshëm, duke i’u referuar Progres-Raportit të Komisionit Evropian, e cila u publikua vetëm pak ditë më parë. Nëpërmjet një deklarate për mediat, anëtarët e parlamentit Evropian, deklaruan se “gjatë seancës plenare, u miratuar një amendament kompromisi për të shtuar Shqipërinë dhe Bosnje Hercegovinën në listën e vendeve që presin të heqin regjimin e vizave”.

Komisioni Evropian propozoi pak kohë më parë (më pak se tre muaj), një qëndrim të shkurtër, për t’u dhënë një mundësi vendeve si Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia, për të përfituar nga lëvizja e lirë në fillim të vitit të ardhshëm. Kësaj liste vendesh, e kritikuar ashpër sistematikisht si nga zyrtarë të Brukselit ashtu edhe nga opinioni politik në vendin tonë, për ndasitë e paqarta që shkaktoi në Ballkan, i shtohet edhe Shqipëria me Bosnje Hercegovinën.

Europarlamentarja sllovene, Tanja Fajon dorëzoi tre javë më parë në PE, një projekt-raport, për përfshirjen e Shqipërisë në hapësirën e lëvizjes së lirë

Sipas projekt-raportit të Fajon, përfshirja e Shqipërisë dhe Bosnjës në listën e bardhë të “Shengenit” do të ndikojë në zbatimin e disa reformave të Bashkimit Evropian dhe rritjen e shpejtë të këtyre dy vendeve, duke e shmangur kështu nga margjinalizimi, këto vende të rajonit.

Ajo beson se projekti do të gjejë konsensusin edhe të Komisionit dhe Këshillit, dhe do të mund të ndryshohet propozimi i korrikut dhe ky do të ishte një rezultat me të vërtetë pozitiv për Shqipërinë dhe Bosnjën.

Pas votimit në Parlamentin Evropian të amendamenteve të projekt-raportit të Tanja Fajon,

Dy javë më parë, në mbledhjen e drejtuesve të Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian në Bruksel, Komisioneri për zgjerimin e BE, Olli Rehn ka deklaruar se hapja e dyerve drejt BE-së për shqiptarët e boshnjakët, do të jetë shumë e afërt. Sipas tij, në momentin që propozimi për heqjen e vizave do të hyjë në fuqi, pasaportat e reja biometrike, do të jenë të mjaftueshme për të udhëtuar drejt vendeve në “Shengen”.

Ndërkaq, raporti i hartuar nga Tanja Fajon do të votohet në seancën plenare të 12 nëntorit në Bruksel dhe më pas propozimet i kalojnë Këshillit të BE-së për të marrë vendimin përfundimtar.

Propozimet e europarlamentares sllovene, Tanja Fajon

-Shqipëria e Bosnja të mos u nënshtrohen procedurave të gjata legjislative edhe njëherë, por ato të përfshihen në regjimin pa viza automatikisht sapo Komisioni të jetë i kënaqur se kanë plotësuar kushtet

-Nëse të dy vendet i plotësojnë kërkesat shpejt, atëherë e gjithë procedura mund të jetë e tillë që ato madje mund të arrijnë edhe tre vendet e tjera.

-Nga informacionet që disponoj, këto dy vende kanë bërë përparime të konsiderueshme në plotësimin e kushteve

-Komisioni t’i japë edhe Kosovës një perspektivë të qartë për përfshirjen në këtë regjim

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›