Konsensus në KQZ, kalon ndarja e 140 mandateve
BLEDAR HOTI
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miraton pas një jave debati ndarjen e 140 mandateve në Kuvendin që do të dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit të këtij viti. Me një konsensus të plotë, të shtatë anëtarët votuan pro propozimit për ndarjen e 140 mandateve të Kuvendit në shkallë republike. Fillimisht, anëtarët e KQZ-së, përfaqësuesit e PS-së në mbledhjen e djeshme kërkuan që të raportonin nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, për të bërë prezent metodologjinë e ndjekur në lidhje me heqjen e 50 mijë publikimeve. Pas kësaj kërkese nga anëtarët e KQZ-së, kanë propozuar shtyrjen e vendimit për 24 orë gjersa të paraqitej një material i detajuar nga Ministria e Brendshme. Anëtari i PS-së, Artan Lazaj, propozoi shtyrjen për disa orë të mbledhjes për të pasur mundësinë që Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile të ishte i pranishëm për të dhënë shpjegime në lidhje me procedurën e eliminimit të publikimeve që shkojnë në rreth 47 mijë. Në ora 14:30 ka rinisur mbledhja, ku drejtori Armand Teliti ka shpjeguar procedurën e heqjes së publikimeve. “Për heqjen e publikimeve është realizuar një proces ku zgjedhësi, qytetari është lënë në regjistrimin e fundit të realizuar në Zyrat e Gjendjes Civile”, deklaroi Teliti. Sipas tij, kjo procedurë është e kontrollueshme dhe vetë njësitë e qeverisjes vendore kanë pasur lista dhe një CD që është ndjekur me këtë procedurë. “Kishim rreth 5818 persona të dubluar brenda së njëjtës njësi dhe 45.074 persona të dubluar ndërmjet zyrave. Ne kemi një rezultat përfundimtar, të numrit total të popullsisë 4. 249. 942 shtetas shqiptarë dhe një numër total zgjedhësish prej 3. 133.248 zgjedhës”, u shpreh Teliti. Përfaqësuesi i PS-së në KQZ, Genc Gjonçaj kërkoi disa informacione shtesë në lidhje me këtë proces, çka solli më pas edhe përplasjen e Telitin, duke iu kërkuar se “nëse kërkon diçka duhet t’i drejtohet me shkrim Ministrisë së Brendshme”. Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani ka bërë të ditur se “shifrat e ndryshuara me dublime nuk ndikojnë në ndarjen e mandateve që ka bërë paraprakisht komisioni”. Gjithçka është kthyer në momentin kur nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi ka deklaruar “jam e gatshme që të kalojmë në një procedurë votimi të aktit të paraqitur”. Pas këtij qëndrimi, Ristani hodhi në votim votimin e aktit të KQZ-së. Me shtatë vota pro të të gjithë anëtarëve akti kaloi me konsensus. Mandatet e deputetëve ndahen mbi bazën qarqeve, kështu Tirana do të ketë 32 deputetë, Berati me 8 deputetë, Dibra me 6 deputetë, Durrësi me 13 deputetë, Elbasani me 14 deputetë, Fieri me 16 deputetë, Gjirokastra me 5 deputetë, Korça me 12 deputetë, Kukësi me 4 deputetë, Lezhë me 7 deputetë, Shkodra me 11 deputetë dhe Vlora me 12 deputetë. Ndërsa 6 qarqe, Berat, Elbasan, Fier, Korçë, Kukës dhe Lezhë kanë përfituar një mandat shtesë, për shkak se përfitojnë nga presjet dhjetore. Vendimi i KQZ-së do të dërgohet menjëherë në Kuvend, si një detyrim ligjor.