E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ahmetaj: Vuajtja që solli 20 shkurtin e ‘91-shit



Bislim Ahmetaj 18 vjet më parë iu bashkëngjit grevës së urisë së afro 700 studentëve dhe pedagogëve të universiteteve të Shqipërisë, grevës së urisë që rrëzoi mitet e diktaturës. Pas kaq vitesh, Ahmetaj kujton ditët e triumfit të lirisë. Ai tregon për gazetën “standard” çastet e vështira që sollën 20 shkurtin e vitit ‘91, ditë kur shqiptarët përulen para vuajtjes e sakrificës së mijëra viktimave që u pushkatuan, u varën, u torturuan nëpër qelitë famëkeqe të diktaturës komuniste. Dhe kjo, vetëm se guxuan të injoronin simbolet e urryera e të montuara dhunshëm nga diktatori dhe shërbestarët e tij.

Bisedoi: Valentina Madani

Z. Ahmetaj, para 18 viteve, ju ishit pjesë e grevës së urisë së 700 studentëve dhe pedagogëve, një grevë e cila rrëzoi mitet e diktaturës. Çfarë kujtoni nga ato ditë?

Shqipëria po kalonte ditët e saj më të vrullshme. Kalimi nga diktatura në demokraci ligjërisht qe shënuar me njohjen e pluralizmit politik pas protestave studentore të dhjetorit 1990, por pluralizmi dhe demokracia nën hijen e statujave dhe sloganeve të diktaturës dukej si një i sëmurë me tuberkuloz, sëmundje që në Shkodër dhe disa rajone të Shqipërisë nuk përmendej fare me emër. Njerëzit e infektuar prej saj quheshin “të prekur”. Demokracia nën hijen e statujave të diktatorit dukej “e prekur”, e sëmurë rëndë. Studentët e universiteteve të Tiranës nuk mund të pranonin të quheshin studentë të një universiteti që mbante emrin e njeriut më antikulturë, më antiliri që ka njohur Shqipëria në historinë e saj.

Greva e shkurtit njihet si greva e parë legale e urisë në Shqipëri. A ishit të bindur atëherë se një formë e tillë rezistence mund të sillte rezultatet e dëshiruara?

Modelet e rezistencës janë të shumta. Edhe të revoltës. Albert Kamy në librin e tij “Njeriu i revoltuar” i shpjegon gjerësisht këto forma. Në të gjithë librat e urtë ku flitet për revoltën dhe rezistencën, shpjegohen mënyra sjellje, krejtësisht të padhunshme, por me efekte simbolike të fuqishme. Zemërimi ynë me emrin dhe veprat e diktatorit dhe të diktaturës mund të kishte justifikuar edhe sjellje të tjera më të egra, por ne kishim urtinë dhe përvuajtjen që, jo përmes mjeteve të dhunshme, të sillnim ndryshime edhe në format e rezistencës. Ne nuk donim të tejkalonim të drejtën tonë (Ismail Kadare ka një shtjellim shumë të sofistikuar dhe të argumentuar të këtij fenomeni: e drejta dhe tejkalimi i saj), ne donim të realizonim të drejtat tona. Ne me mençuri zgjodhëm një formë rezistence vetësakrifikuese, jo të dhunshme, por që dha efektet që kishim synuar.

Kjo që thoni, pas 18 vjetësh tingëllon e bukur, por sa e vështirë ishte organizimi i një greve urie që synonte rrëzimin e diktatorit në të gjitha aspektet shqiptare?

Qytetarët e Tiranës nuk e duronin dot statujën e Enver Hoxhës. Kishin kohë që i shmangeshin kalimit përmes qendrës. Këtë e kam parë me sytë e mi. Për të shkuar në Kombinat, nga Kinostudioja, qytetarët merrnin autobusin e Unazës, ose i binin nga Kruja apo Elbasani. Kjo ndihej kohë para pluralizmit. Studentët në njëfarë mënyre nuk ishin gjë tjetër veçse “zëdhënës” publikë të kësaj pakënaqësie. Pluralizmi dhe mbështetja që qytetarët e Tiranës dhe të Shqipërisë i dhanë lëvizjes studentore, na bënë të gjithëve të kuptojmë se demokraci, liri, pluralizëm dhe zhvillim nuk mund të kishte nën hijen e statujave të armikut më të egër të lirisë, që kishte njohur kjo pjesë e kontinentit. Por, për të folur konkretisht më duhet t’u kthehem ngjarjeve dhe zhvillimeve të asaj periudhe. Atmosfera e revoltës dhe rezistencës mbizotëronte kudo në Shqipëri. Ditët e para të pluralizmit, themelimi i PD-së, i ndonjë partie tjetër, shpërndarja e frymës së lirisë në çdo skaj të Shqipërisë, entuziazmi dhe mbështetja e jashtëzakonshme qytetare, rilindja (demokratike) e shtypit të lirë i kishin kristalizuar edhe më tej kërkesat dhe dhënë fund frikës. Studentët e Universitetit Bujqësor, më 5 shkurt ndërprenë mësimin dhe nisën një grevë pa afat me kërkesa të qarta politik, ku spikaste thirrja: “O shkollën e Partisë, o dorëheqjen e qeverisë!” (ish-Shkolla e Partisë prodhonte komisarë dhe propagandistë kolkozesh e gulagjesh, kishte ambiente strehimi dhe studimi të bollshme, më të shumta sesa çdo universitet i vendit). Studentët e Universitetit Bujqësor përbënin shtresën më të persekutuar të studentëve dhe të pedagogëve shqiptarë, sigurisht edhe më të keqtrajtuarve. I ngjante realisht një gulagu sovjetik me studentë, bij të “të prekurve politikë”, me pedagogë të konsideruar si “të padëshiruar”. Vendosmëria jonë para kërkesave politike të paraqitura në grevat e fillimshkurtit, ishte serioze. Ky seriozitet u kuptua shpejt nga diktatura, e cila angazhoi të gjitha mjetet për ta shuar atë grevë, por në të njëjtën kohë u kuptua edhe nga studentët e universiteteve të tjera të vendit dhe, siç e kam theksuar disa herë, nga qytetarët e Tiranës. Kjo ka qenë jetike për rezistencën tonë, sidomos për arritjen e qëllimeve të saj. Ne nuk morëm Shkollën e Partisë, por rrëzuam shpirtin e Partisë.

Megjithatë, greva u realizua në Universitetin e Tiranës...

Qytetin Studenti nga Universiteti Bujqësor e ndajnë 5 kilometra, ndërsa Qytetin e Studentit nga zemra e diktaturës, pallati diktatorial i Ramiz Alisë së asaj kohe e ndanin vetëm 4-500 metra. Greva u zhvillua në vendin e duhur, mu në zemër të Ramiz Alisë. Deri në atë kohë, shumica e protestave zhvilloheshin me objekt kryesor diktaturën dhe Enver Hoxhën. Ramiz Alia ishte ruajtur taktikisht, por edhe për shkak të mjeshtërisë së tij mashtruese. Greva e urisë do ta vinte diktaturën dhe Alinë në provën e tyre finale. Ramiz Alia u rreshtua haptas në krahun e diktaturës, pozicion të cilin përpiqej ligsht ta fshihte. Pas rrëzimit të busteve dhe mitit të diktatorit, kundërshtari themelor i lirisë dhe demokracisë në Shqipëri mbeti Ramiz Alia dhe aparati i tij partiak, shtetëror-policor.

Besoj se ajo ngjarje kishte shumë protagonistë apo jo?

Shpesh jam detyruar të flas për emra, për protagonistë, për detaje, fakte etj. Jo se nuk kanë rëndësi, jo se nuk është e rëndësishme të përmendësh personazhe dhe përshkrime të detajuara, por kam gjykuar se një projektim në kohë i kësaj ngjarjeje do t’i vinte edhe protagonistët e saj në dritën që e meritojnë. Greva e urisë e shkurtit 1991 është një prej ngjarjeve kulmore të historisë politike të Shqipërisë. Përbën rastin unikal kur një objektiv politik realizohet konkretisht me një instrument politik proteste, të rrallë në llojin e vet. Mbi 700 studentë e pedagogë morën njërin prej vendimeve më sublime, më paqësore, por edhe njërin prej më heroikëve: Jeta jonë në shkëmbim të qëllimit tonë. Diktatura u dorëzua. Ne jemi gjallë. Këtë - merret me mend - nuk ia dimë për nder diktaturës, por fuqisë sonë morale, vendosmërisë sonë dhe mbështetjes së parezervë që qytetarët e Tiranës dhe të të gjithë Shqipërisë i dhanë asaj greve. 20 shkurti i vitit 1991 i dha fund acarit siberiko-diktatorial mbi vendin tonë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›