E Diel, 1 Nëntor 2026

Si u përjetua ardhja e Hrushovit në Shqipëri në vitin 1959

Reportazh i gazetës “Zëri i Popullit” për vizitën e shefit të Kremlinit. Reagimet e njerëzve. Flasin qytetarë dhe fshatarë nga zona të ndryshme
Në këto ditë të bukura të pranverës, kur nga malësitë e Kelmendit deri në brigjet e detit Jon, njerëzit tanë janë në valën e punës për ndërtimin e jetës së re, lajmi i ardhjes së mikut më të dashur të popullit tonë, shokut Nikita Sergejeviç Hrushov, mbushi tërë gëzim çdo zemër shqiptari. Si një sihariq i madh, entuziazmoi të madh e të vogël. Dhe malësori ynë, punëtori i uzinave e kooperativisti i fushave uron me gjithë zemër: Mirë se të vish, o mik i madh i Shqipërisë së vogël. Ne do të të presim si e ka zakon shqiptari, me bukë e kripë e zemër. Dje në mëngjes, kur altoparlantët e gazetat përhapën në kryeqytet lajmin gazmor, kudo njerëzit filluan të bisedonin tërë entuziazëm. Kudo dëgjoheshin shprehje e fjalë të ngrohta për Partinë tonë të Punës, për Komitetin Qendror të saj dhe për shokun Enver, birin më të dashur të popullit tonë, që farkëtuan miqësinë e përjetshme me Bashkimin Sovjetik, shpëtimtarin e popullit tonë. Sa ëmbël tingëllojnë në zemrën e një shqiptari fjalët Bashkimi Sovjetik! Ishin ditë të vështira, kur komunistët e partizanët shqiptarë, duke u përleshur me armikun, shqiptonin këto fjalë dhe mbusheshin me shpresë e gëzim. Pikërisht për atë kohë na foli nëna e dëshmorit Mihal Duri, një grua plakë, plot optimizëm: “Djali im, edhe në ditët më të rënda, atëherë kur ne vuanim, më fliste me besim, më jepte kurajë, sepse për vegjëlinë për lirinë e të shtypurve luftonte Bashkimi Sovjetik”. Në ato ditë të rënda nuk më harrohen fjalët e asaj kënge që dëgjoja shpesh: “Gjersa bota të çlirohet si Bashkimi Sovjetik...”. Ardhja e shokut Hrushov tek ne më bën të kujtoj djalin tim, i cili, edhe në minutën e fundit të jetës, nuk harroi Bashkimin Sovjetik. Plot ndjenja sinqeriteti për ndihmën bujare të Bashkimit Sovjetik folën edhe shokët e Mihal Durit, komunistët e stabilimentit që mban emrin e këtij dëshmori Mustafa Peza e Refik Bici. Ata kanë punuar së bashku, kanë kryer aksione së bashku. Me cilindo që të bisedosh, të gjithë shprehin ndjenjat më të sinqerta për mikun tonë të madh. Punëtorët e kombinatit të tekstilit “Stalin” (e kësaj vepre të madhe, dhuratë e Bashkimit Sovjetik) lajmin e vizitës në vendin tonë të delegacionit sovjetik me shokun Hrushov në krye, e pritën me suksese të reja në punë. Punëtorja e pararojës, Feruze Serani, e bija e veteranit Ramadan Mahmuti, vajzë fshatare nga Çorushi i Mallakastrës, na foli me gëzim të papërshkruar. Ajo fliste plot emocion. “Mikun më të dashur të popullit tonë, shokun Nikita Hrushov, e kam parë në Festivalin e 6-të botëror të Rinisë e Studentëve”,-tha ajo. “Por ardhja e tij tek ne më gëzoi pa masë. Makinat me të cilat punoj janë nga prodhimet e fundit të punëtorëve sovjetikë, ato janë dëshmi e gjallë e miqësisë së madhe që lidh popullin tonë me Bashkimin Sovjetik”. Jo më me pak entuziazëm na foli inxhinieri mekanik i kombinatit, shoku Taqi Adhemi, i cili në kohën e luftës ka punuar në shtypin ilegal. “Sot, - tha ai, - kur vendi ynë po bëhet një kopsht i lulëzuar, sikurse ka thënë shoku Hrushov, vizita e tij në vendin tonë na gëzon pa masë. Ajo është një nder i madh që i bëhet popullit tonë”.
Dje vizituam familjen e Muhamet Lazajt. Ky fshatar i varfër nga malësitë e Skraparit, këto ditë mbaron Fakultetin Ekonomik të Universitetit Shtetëror të Tiranës. E shoqja, Refije Lazaj, nënë tre fëmijësh, dhe ai vetë u shprehën me fjalët më të ngrohta për këtë sihariq të madh. Në një nga sallat e Teknikumit të ndërtimit në Qytetin e Nxënësve, takuam inxhinierët e rinj Stavri Pisha, Piro Stavri e Robert Gjata. Ata ishin duke u konsultuar me nxënësit e klasës së fundit që përgatitin projektdiplomat. “Pa Bashkimin Sovjetik, - tha inxhinieri Stavri Pisha, - ne nuk do të ishim bërë kurrë inxhinierë. Unë atje studiova. Sa kujtime të mira ruaj për pedagogët e mi, për shokët e mi sovjetikë! Për mua ata kanë mbetur të paharruar”. Kënga e njerëzve të tyre kudo buçet si një himn i ndërtimit të jetës së re, i ndërtimit të socializmit edhe në atdheun tonë të dashur.

Reagime në Vlorë: “Vizita, shenjë dashurie e Rusisë për vendin tonë”

VLORË - Si rrufe u përhap edhe në fshatrat më të largëta të Kurveleshit, Sevasterit, Bratajt, Himarës etj. lajmi se në vendin tonë do ta vizitojë një delegacion i Partisë Komuniste dhe qeverisë të Bashkimit Sovjetik, shoku Nikita Sergejeviç Hrushov. Këtë ngjarje me rëndësi të madhe e mori vesh i madh e i vogël. Bujkun në fushat pjellore të Myzeqesë, ky lajm i gëzuar e gjeti sipër makinës të markës sovjetike fringo të re, bariun në pllajat e larta të Shashicës, ku fryn veriu i freskët e ku ai, me kërrabë në dorë, ruan tufat me dhen të kryqëzuar me desh të racës “Cigaja” e “Merinos”, që na kanë ardhur nga Bashkimi Sovjetik; ndërsa punëtori i Fabrikës së Çimentos e mori vesh lajmin pranë furrës vigane që bluan natë e ditë klinker dhe që ai e di fare mirë se edhe vetë njohuritë e para të kësaj mjeshtërie i fitoi në tokën sovjetike, ose me ndihmën e specialistëve sovjetikë që erdhën në vendin tonë, dhe që jo vetëm furra, por e gjithë fabrika u ndërtua me ndihmën e Bashkimit Sovjetik, e në fund ajo iu dhurua vendit tonë. Inxhinieri i termocentralit, Ahmet Thaçi, duke u folur punëtorëve për vizitën e afërme që do të bëjë në vendin tonë shoku Hrushov në krye të delegacionit të Partisë Komuniste dhe të qeverisë së Bashkimit Sovjetik, tha: “Kjo vizitë tregon dashurinë që ka Bashkimi Sovjetik dhe vetë shoku Hrushov për Partinë dhe qeverinë tonë, për popullin tonë trim”. Duke shprehur gëzimin e madh që ndien drejtori i fabrikës të çimentos “V. I. Lenin”, shoku Llazar Isai, tha: “Ja, erdhi një ditë e gëzuar kur populli ynë u bë zot i vendit të tij dhe Partia jonë e Punës e lidhi me miqësi të përjetshme me Bashkimin Sovjetik, me një mik aq të fortë e bujar, paqedashës dhe mbrojtës i popujve të vegjël. Ne presim krahëhapur mikun e madh të popullit tonë, shokun Hrushov”.

Banorët e Elbasanit: “Të presim me zemër të hapur të shtrenjtin Hrushov”

ELBASAN - Me shpejtësi edhe në fshatrat më të largëta të Elbasanit u përhap lajmi i gëzuar se Nikita Hrushovi, miku i shtrenjtë i popullit tonë, në krye të një delegacioni të Partisë e qeverisë të Bashkimit Sovjetik, do të vizitojë vendin tonë. Në Kajan kooperativistët ishin shpërndarë në fushë pa zbardhur dita për të bërë mbjelljet. Ata që e morën vesh më parë këtë lajm gazmor, u shpërndanë parcelë më parcelë, shkuan sipër në mal tek barinjtë për t’u dhënë këtë sihariq të madh. Entuziazëm i madh. Kooperativistët filluan më me vrull punën dhe në mbrëmje i madh e i vogël u mblodhën para zyrave të kooperativës për të lexuar gazetën. Kudo oshtinte nga këngët e vallet. “Brigada jonë përfundoi mbjelljen e duhanit”, - tha përgjegjësi i brigadës së parë. “Po ju kishit punë edhe dy ditë”. “Ashtu është, por lajmi gazmor na shumëfishoi forcat”. Në krahasim me rezultatet e djeshme, sot në fushat e Elbasanit u mbollën 40 hektarë me duhan më tepër. Gjithashtu, në të gjithë rrethin përfundoi mbjellja e pambukut. Në Gjocaj dita e sotme u kthye në një manifestim të madh. Në Shirgjan, Gostinë, Shtërmen, e të tjera nuk mbeti njeri pa marrë vesh këtë sihariq të madh. Kooperativistët erdhën vetë në qendrat e lokalitetit për të tërhequr gazetën. Nga fushat e atdheut tonë filluan të nisen telegrame e letra për në Moskë. Kooperativistët falënderojnë udhëheqësit sovjetikë dhe shprehin gëzimin e madh për vizitën që do të bëjnë në atdheun tonë të bukur. Në këto letra e telegrame lexon fjalën: ”Të presim me gjithë zemër, i shtrenjti ynë shoku Hrushov. Të urdhëroni edhe në kooperativën tonë, në shtëpitë tona, të rrosh sa malet, miku ynë i zemrës!”

Shkrimi është marrë në gazetën “Zëri i Popullit” më datë 21 maj 1959
Titulli është redaksional
Përgatiti: Matilda Arapi

7 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›