E Martë, 3 Nëntor 2026

Rreziqet për ekonominë shqiptare, BB: Shtrenjtimi i ushqimeve dhe koncesionet

Banka Botërore publikoi raportin e rregullt rajonal, ku për Shqipërinë vlerëson se pas një rimëkëmbjeje të fortë në vitin 2022, rritja ekonomike parashikohet të ngadalësohet, por të vijojë të mbetet mbi mesataren historike.

Raporti gjithashtu vlerëson se është rritur punësimi dhe është ulur varfëria. Megjithatë konstatohen edhe disa risqe nga të cilët mund të preket ekonomia shqiptare.

“Rritjet e mëtejshme të çmimeve të ushqimeve dhe energjisë shihen si një rrezik i madh për rritjen ekonomike të vendit dhe për uljen e varfërisë në Shqipëri. Si rreziqe potenciale për perspektivën ekonomike shihen gjithashtu kontratat koncesionare PPP, si dhe fatkeqësitë natyrore,” thotë Natasha Rovo, ekonomiste e lartë e Bankës Botërore dhe autore e raportit.

Lidhur me të dhënat e raportit se varfëria në Shqipëri është ulur, pyetjes së RTSH-së se çfarë do të thotë kjo në terma konkrete, përfaqësuesja e BB-së tha:

“Ulja e varfërisë është e lidhur me fuqizimin e tregut të punës, me shtimin dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Në Shqipëri, punësimi është faktor për pakësimin e varfërisë, por janë dhe disa faktorë të tjerë që ndikojnë në të. Më i rëndësishëm është fakti që shkalla e inflacionit është e ndryshme për kategoritë e familjeve, çka do të thotë se familjet vulnerabël përballen me shkallën më të lartë të inflacionit krahasuar me grupet e tjera. Prandaj ajo çfarë është e rëndësishme është mbështetja ndaj këtyre familjeve, të cilat përballen me çmimet e larta.“

Rritja ekonomike për Shqipërinë në 2023 parashikohet në 3,6% sipas raportit, duke e renditur të dytën në vendet e Ballkanit, pas Malit i Zi, që do të ketë një rritje ekonomike prej 4,8%.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›