E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëzohet aeroplani, vdes presidenti polak

Një aeroplan me së paku 87 veta në bord, ku ndodhej edhe presidenti polak, Lech Kaczynski, me bashkëshorten e tij, është rrëzuar sot në mëngjes, derisa ulej në aeroportin e Smolenskut në Rusi.

Nuk ka asnjë të mbijetuar, njofton agjencia shtetërore e lajmeve në Poloni. Ndërsa mediat ruse, duke iu referuar zyrtarëve të emergjencave, raportojnë se 87 persona kanë vdekur nga rrëzimi i aeroplanit.

Ndërkohë guvernatori i Smolenskut ka deklaruar se në bordin e avionit ishin 132 persona dhe se asnjë nga ta nuk ka shpëtuar.

Kaczynski ishte 60-vjeçar. Ai po udhëtonte për të marrë pjesë në ceremonitë përkujtimore të të vrarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore në Katin.

Sipas raportimeve të medieve, në zonën e uljes së avionit ishte mjegull e dendur. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme polake, Piotr Paszkowski, i ka thënë AFP-së se avioni u përplas me disa pemë, u rrëzua dhe më pas mori flakë.

Ne bordin e avionit ndodhej dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm dhe zëvendësministri i Jashtëm, Andrzej Kremer.

Presidenti rus, Dmitry Medvedev, ka ngritur një komisioni hetimor mbi këtë aksident tragjik ajror. Në krye të komisionit është emëruar kryeministri Vladimir Putin. Ndërkohë në vendin e ngjarjes ka dalë ministri i Mbrojtjes Civile ruse.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›