E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrëzohet kallëzimi penal i Policisë së Shkodrës ndaj Dobjanit

Organi i akuzës pushon hetimet për Avokatin e Popullit. Prokurorja e çështjes: “Komisionerët e Dobjanit s’e kanë shkelur ligjin”

Laureta Rryçi

Tiranë - Prokurorja pushon hetimet mbi Avokatin e Popullit dhe tre komisionerët e tij. Me këtë vendim, prokurorja e Shkodrës ka hedhur poshtë versionin e servirur nga Policia e Qarkut Shkodër ku ishte pretenduar se ata, në kundërshtim me përmbushjen e detyrës, janë bërë pengesë për ushtrimin e hetimit nga ana e Policisë Gjyqësore në lidhje me një procedim penal të deleguar nga Prokuroria e Rrethit Shkodër.
Përplasja
Sipas vendimit të zbardhur të prokurores rezulton se gjithçka ka nisur kur Policia Gjyqësore, konform rregullave procedurale dhe administrative, më 21 nëntor 2008 ka thirrur dhe pyetur tre persona për të zbardhur një ngjarje të vjetër. Thirrja e tyre dhe pyetja është bërë në ambientet e Drejtorisë së Policisë Gjyqësore, pikërisht në zyrat e oficerëve të ngarkuar me hetimin e çështjes. Shoqërimi në polici dhe mbajtja për disa orë aty, me synim pyetje dhe po të ishte nevoja edhe ballafaqim, ka shërbyer si shkak që njëri prej shtetasve të shoqëruar të vërë në lëvizje Avokatin e Popullit, duke i shprehur pretendimin se po keqtrajtoheshin dhe ndaj tyre po ushtrohej dhunë fizike e psikologjike. Kjo është bërë prej tyre ndërkohë që Avokati i Popullit, i shoqëruar nga një komisioner dhe dy ndihmëskomisionërë të tij, ndodheshin pikërisht në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Shkodër, me synim inspektimi dhe verifikimi. Në këto kushte, i ndodhur në qytetin e Shkodrës, Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, së bashku me tre ndihmësit e tij, janë paraqitur në ambientet e Drejtorisë së Policisë Shkodër dhe të shoqëruar nga zëvendësdrejtori i Policisë, Artan Hasani, kanë kërkuar të kontaktojnë me personat që ishin shoqëruar dhe më pas edhe ankuar. Ndërhyrja në fjalë e Avokatit të Popullit është realizuar pikërisht në momentin kur këta persona po pyeteshin nga Policia Gjyqësore dhe prej tij është kërkuar që në mënyrë të menjëhershme të krijohej mundësi komunikimi pa praninë e policisë, gjë që dhe është realizuar. Pas marrjes në pyetje nga Avokati i Popullit, nga komisionerët e tij dhe nga Policia Gjyqësore, të tre personat e sipërpërmendur janë lënë të lirë dhe kanë shkuar në banesën e tyre. Në pyetjen e bërë nga Avokati i Popullit njëri prej këtyre personave ka pretenduar se është goditur nga një polic me shuplakë në fytyrë duke i kërkuar të tregonte çfarë dinte lidhur me vrasjen. Veprimet e mësipërme, të kryera në ambientet e Policisë Gjyqësore pranë Drejtorisë së Policisë, nga ana e Avokatit të Popullit janë referuar nga Policia e Shkodrës si veprime në kundërshtim me detyrën e Avokatit të Popullit dhe që kanë penguar kryerjen e hetimeve lidhur me vrasjen.
Pushimi
Pas hetimeve prokurorja ka konstatuar se Avokati i Popullit rezulton të jetë paraqitur në ambientet e Policisë konform ligjit. Ai ka njoftuar për objektin e veprimtarisë në këto ambiente drejtuesit e institucionit dhe më pas, i shoqëruar prej tyre, ka vazhduar veprimet administrative e investiguese.
Po ashtu edhe seanca e pyetjeve që është zhvilluar me të ndaluarit, sërish rezulton të jetë veprim plotësisht i lejuar dhe i ligjshëm, i sanksionuar posaçërisht në ligjin “Për Avokatin e Popullit”. “Nga ky hetim vërtetohet qartë që problemi i ngritur në kallëzim është një problem i karakterit administrativ dhe në formën e me përmbajtjen e tij nuk përfaqëson veprimtari në kundërshtim me përmbushjen e detyrës. Avokati i Popullit me veprimet e tij ka zbatuar me korrektësi rregullat ligjore e administrative dhe nuk i ka sjellë asnjë pasojë interesit të shtetit apo të shtetasve”, - përfundon vendimin e saj prokurorja e çështjes.

15 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›