E Shtunë, 31 Tetor 2026

Veliaj në Kukës: Beteja jonë, heqja e “taksës së votës”



Erion Veliaj dhe aktivistë të G99-ës në Kukës u takuan me disa familje që jetojnë në kushte tejet të mjerueshme në godinën e ish- Drejtorisë së Përgjithshme Pyjore të qytetit të Kukësit.
Veliaj është takuar me këto familje të cilat jetojnë në varfëri ekstreme dhe nuk kanë mundësi të paguajnë për kartat e identitetit. Veliaj akuzoi si shkaktare të këtij mjerimi korrupsionin galopant të qeverisë “Berisha”, ndërkohë që ai shtoi se beteja e madhe e opozitës është heqja e taksës së votës.
“Kjo është Shqipëria e njerëzve më pak të privilegjuar, ndërsa Shqipëria tjetër është Shqipëria e fëmijëve të Fahri Balliut e të Sali Berishës, të cilët mund të jenë milionerë që në moshën 20 vjeçare, falë pushtetit korruptiv të prindërve të tyre. Beteja më e madhe e opozitës sot është që të heqë përfundimisht taksën e votës dhe pas zgjedhjeve të ndryshojë krejtësisht mënyrën se si funksionojnë gjërat në Shqipëri, duke krijuar shanse e mundësi të barabarta për të gjithë, edhe për ata që nuk e kanë mbiemrin Berisha apo Balliu”, tha kryetari i G99-ës. Ai zhvilloi në Kukës një takim me të rinjtë e këtij qyteti, ku u bëri thirrje të votojnë për G99 në zgjedhjet e 28 qershorit.

15 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›