KQZ-ja përzgjedh kompaninë që do mundësojë kamerat për numërimin e votave
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli dje kompaninë fituese që do të mundësojë pajisjen me kamera të Komisioneve Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve, për numërimin e votave. Kompania “R & T” është firma që ka fituar tenderin. Në KQZ paraqitën ofertat e tyre 11 kompani shqiptare dhe të huaja. Një grup specialistësh bëri vlerësimin e ofertave. Ofertën më të ulët e paraqiti kompania “R & T” me vlerë rreth 1.5 milion euro. Numri i kamerave do të jetë 385. Kompania fituese prezantoi dje para anëtarëve të komisionit projektin dhe mënyrën se si do të funksionojë ky proces. Në të 66 VNV-të do të vendosen nga 5-10 kamera, kjo në varësi të numrit të tavolinave të numërimit që do të ketë qendra e numërimit të votave. Kamerat që do të regjistrojnë pamje vizive e zanore do të kenë rezolucion të lartë, dhe do të transmetojnë në kohë reale fletën e votimit në monitor ose ekran. Çdo kamera do të lidhet me monitor TV ose me projektor që projekton pamjen në ekran. Do të përdoren 385 monitorë TV ose 385 projektorë dhe 385 ekrane. Të gjitha imazhet e marra nga kamerat do të regjistrohen edhe me zë, në pajisje përkatëse në çdo VNV. Do të jenë 66 pajisje regjistruese që do të mundësojnë regjistrimin e pandërprerë për një kohë jo më pak se 20 orë, dhe gjithashtu do të mundësojnë hedhjen e regjistrimit filmik në DVD. Procesi i regjistrimit me kamera do të mbikëqyret nga një tjetër sistem kontrolli. Një rrjet i të dhënave do të lidhë VNV-të me sallën e mbledhjeve të KQZ-së. Një kamer qendrore me pamje 360 gradë, do të mbulojë gjithë VNV-në. Monitorimi me kamera është edhe një nga risitë e zgjedhjeve të 28 Qershorit. Anëtarët e KQZ-së shprehen se kjo është një sfidë për ta pasi nuk është përdorur më parë në vendin tonë ose në vendet fqinje. Sipas tyre procesi i monitorimit të zgjedhjeve me kamera do të ndihmojë në rritjen e transparencës dhe në arritjen e standardeve që i kërkohen vendit tonë.
Luis Tanushi
15 Prill 2009