KSHH letër Berishës: Gjej zgjidhje për kartat e identitetit
Komiteti Shqiptar i Helsinkit i ka bërë thirrje qeverisë që të garantojë pajisjen me karta identiteti të qytetarëve. Kryetarja e KSHH-së Vasilika Hysi në një letër të hapur drejtuar kryeministrit shprehet se në një vend demokratik siç është edhe vendi ynë, qeveria ka detyrë të marrë të gjitha masat me qëllim që t’u garantojë shtetasve të vet mundësitë reale për të ushtruar të drejtën kushtetuese të pjesëmarrjes në zgjedhje. KSHH-ja mendon se nuk është e justifikueshme që për mungesë organizimi ose kontrolli në zbatimin me rigorozitet dhe në kohë të kësaj detyre ose për shkak të mos pajisjes me karta identiteti, zgjedhësit të privohen nga e drejta themelore e sanksionuar në nenin 45 të Kushtetutës së RSH. KSHH shprehu mendimin edhe për nismën e qeverisë për kompensimin ose dhënien falas të kartave disa shtresave të popullsisë. “Masat e marra nga qeveria për kompensimin ose dhënien falas pjesërisht të kartave të identitetit, mund të shoqërohet me elementë të diskriminimit të shtresave ose grupeve të tjera në nevojë, gjë që duhet të parandalohet”,- thuhet në letrën e KSHH-së. KSHH sugjeroi nevojën për bashkëpunim konstruktiv dhe transparent të të gjithë aktorëve në këtë proces. Ky komitet kërkoi që të gjithë aktorët të bashkëpunojnë për të sensibilizuar publikun për rëndësinë e paisjes me karta identiteti të qytetarëve. “Zgjedhjet parlamentare të qershorit të këtij viti do të jenë testi kryesor dhe i një rëndësie të veçantë, që do të tregojnë pjekurinë se, ne jemi në gjendje të bëjmë zgjedhje të lira, të ndershme dhe të pakontestueshme, duke përmbushur standardet e kërkuara”,- thuhet në letrën që kryetarja e KSHH i ka drejtuar kryeministrit Berisha.
15 Prill 2009