Televizioni publik i Berishes, si televizioni i Enver Hoxhes
Flasin anëtarët e Komisionit Parlamentar të Mjeteve të Informimit. Reagojnë edhe gazetarët për shpërdorimin e ekranit publik
Menjëherë pas denoncimit të faktit se Televizioni Publik Shqiptar transmeton një edicion lajmesh në anglisht duke mos respektuar rregulloren e Këshillit Drejtues të RTSH-së, kanë reaguar drejtues të Komisionit Parlamentar të Mjeteve të Informimit dhe analistë të medias. Drejtori i Vizion Plusit, Arban Hasani, e ka quajtur këtë propagandë si agjit-propi që bënte dikur shoku Enver me Radio Tiranën. Madje ai ka pohuar se e gjithë prona publike është vënë në shërbim të mediave private që mbështesin Berishën. Reagime të ashpra kanë bërë dje edhe drejtuesit e Komisionit Parlamentar të Mjeteve të Informimit. Aldrin Dalipi, njëri prej deputetëve të Komisionit, njëherësh, një nga ish-drejtuesit e RTSH-së, e ka cilësuar shkelje flagrante, pasi është një program i pamiratuar nga Këshilli Drejtues i RTSH-së. Ai e cilëson një precedent të rrezikshëm një program të tillë, pasi një hapësirë të tillë në TVSH mund ta kërkojnë ligjërisht edhe pakicat e tjera në vendin tonë menjëherë pas emetimit të edicionit në anglisht.
Në të njëjtën linjë është edhe deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Pëllumb Xhufi, i cili ka pohuar se TVSH-ja është nën vënë sundimin e kryetares së Kuvendit Topalli dhe kryeministrit Berisha. Ai e ka cilësuar këtë një përpjekje për të bërë propagandë tek të huajt që jetojnë në Tiranë.
Javën e kaluar opozita ka paraqitur një rezolutë për shkarkimin e drejtuesve të RTSH-së. Kjo përkon me raportimin vjetor në Kuvend të këtij institucioni. Rezoluta do të diskutohet në Parlament javën që vjen. Ekrani publik i TVSH-së është vënë gjithmonë në shënjestër të debateve për shpërdorimin e hapësirave nga maxhorancat dhe qeveritë gjatë këtyre viteve.
Arban Hasani: “TVSH-ja, propagandë për Berishën si dikur për shokun Enver”
Drejtori i Informacionit të Vizion Plusit
“TVSH-ja, me anën e këtij krijimit të kësaj hapësire, e cila nuk i shërben aspak publikut, por reklamës dhe demagogjisë, ka provuar me këtë rast edhe një herë tjetër se paratë e taksapaguesve shpërdorohen në mënyrë të jashtëligjshme.
Së pari, sepse në strukturën programore ndalohet emetimi i programeve në gjuhë të huaj. Struktura programore e miratuar nga Këshilli Drejtues dhe e aprovuar nga Kuvendi, në mënyrë taksative e detyron këtë operator që të ketë programe 100% në gjuhën shqipe. Së dyti, kjo përzgjedhje me target vetëm për pak nëpunës të huaj anglishtfolës në Tiranë, tregon qartë se qeveria shqiptare nuk ka në themel të interesit të saj publikun, por demagogjinë e stilit komunist, si atëherë kur Radio Tirana prodhonte edicione lajmesh në gjuhët e gjithë botës për të promovuar veprat e shokut Enver. Së treti, ky është një tjetër abuzivizëm i drejtuesve të Radio Televizionit Shqiptar, të cilët e kanë vënë këtë operator publik, që mbahet me taksat tona, në funksion të televizioneve të tjera private që u shërbejnë qeverisë dhe kryeministrit Berisha. Ato vënë jo vetëm propagandën, por edhe resurset e TVSH-së në funksion të këtyre operatorëve.
“Shkelje flagrante, nuk u miratua nga Këshilli Drejtues i RTSH-së”
Alfred Dalipi, deputet i PS-së dhe anëtar i Komisionit Parlamentar për Median
Një edicion lajmesh nga servisi publik i Radio Televizionit nuk tingëllon dhe nuk është antiligjor; është jonormal, është jologjik dhe kinezëri profesionale kur transmetohet në kanalin tokësor dhe kur ky rrjet ka vetëm një kanal tokësor. Të prodhosh një edicion lajmesh për përfaqësitë diplomatike dhe të kopjosh Çavesin e Venezuelës dhe Kastron e Kubës, pasi këto dy vende amerikano-latine prodhojnë edicione të ngjashme përmes transmetuesve shtetërorë, - nuk mund të jesh ndryshe prej tyre. Kur them se ky program nuk është antiligjor, i referohem faktit se ai nuk bie ndesh me përcaktimet e Ligjit Nr. 8410 që rregullon veprimtarinë e radio televizioneve në Republikën e Shqipërisë; por bëhet antiligjor kur një strukturë programore e TVSH-së transmetohet pa u aprovuar nga Këshilli Drejtues i Radio Televizionit Shqiptar. Ideimi dhe prodhimi është tërësisht mendje politike. Kjo më është aprovuar mua nga drejtuesit e RTSH-së kur kam kërkuar informacion lidhur me këtë ngjarje, që do të përbënte një precedent të rrezikshëm; pasi nisur nga ky fakt, në Rrjetin Kombëtar të Radio Televizionit do të kërkohej transmetimi i programeve në gjuhë të tjera; të pakicave apo minoriteteve. Mendja që e ka ideuar dhe urdhëruar është mendjelehtë. Kjo është jo vetëm injorancë mediatike, por edhe politike. Në morinë e shkeljeve, transformimin e misionit dhe deklaratës së qëllimit të transmetuesit publik, kjo sigurisht që është edhe një element shtesë për Rezolutën e Kuvendit mbi aktivitetin vjetor të RTSH-së, ku opozita ka kërkuar javën e kaluar shkarkimin e Këshillit Drejtues si përgjegjës për kaosin dhe devijimin që ka marrë transmetuesi publik, duke u kthyer në transmetues thelbësisht partiak.
Deputeti Pëllumb Xhufi: “Berisha, tani propagandë edhe për opinionin e huaj”
Radio Televizioni Shqiptar prej kohësh është një media tërësisht e kapur nga dy institucionet kryesore të vendit; nga qeveria e drejtuar nga kryeministri Berisha dhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Edhe në këtë rast, ku emetohet enkas në anglisht një edicion për të huajt, Berisha kërkon që të përpunohet opinioni. Por, kësaj radhe, ai nuk kërkon përpunimin e opinionit vendas. Kjo është një propagandë për të përpunuar opinionin e huaj që jeton në vendin tonë dhe për të mashtruar faktorin ndërkombëtar. Këshilli Drejtues duhet të marrë masa për të mos lejuar programe, të cilat nuk janë miratuar më parë prej tij.
15 Prill 2009