Rrëzohet kërkesa e PS-së për heqjen e moratoriumit të skafeve
Deputetët e mazhorancës kanë rrëzuar në Komisionin e Sigurisë, kërkesën e PS-së për heqjen e moratoriumit për skafet. Nisma për shfuqizimin e ligjit, që është hartuar nga deputeti i PS-së, Artan Gaçi, mori 10 vota kundër nga deputetët e mazhorancës.
Në propozimin e bërë nga Partia Socialiste kërkohej që të hiqej bllokimi i mjeteve lundruese në Shqipëri, duke e cilësuar si një masë të tepërt dhe dëmtuese ndaj bizneseve. Sipas relacionit të projektit të opozites, ky ligj ka bllokuar zhvillimin turistik e ekonomik të Shqipërisë.
Moratoriumi është vendosur prej gjashtë vitesh nga mazhoranca aktuale dhe ka pasur si qëllim bllokimin e trafiqeve që bëheshin me skafe drejt Italisë dhe Greqisë.
Dy ditë më parë, PD shprehej me anë të një deklarate për shtyp, se kërkesa e PS-së është e porosituar nga mafia, që sipas PD, urdhëron dhe komandon disa prej deputetëve socialistë.