Falsifikuan kombësinë, nis procedimi penal për 4 persona
Ata ishin paraqitur në konsullatën greke për të përfituar leje qëndrimi në Greqi dhe kishin në dokumente certifikata ku kishin falsifikuar kombësinë
Sarandë Një 66-vjeçar së bashku me dy djemtë e tij si dhe një bashkëfshatar i tyre do të ndiqen penalisht, pasi kanë falsifikuar kombësinë, duke u paraqitur si grekë. Sipas burimeve zyrtare nga policia e Sarandës, mësohet se ditën e djeshme ka nisur procedimi penal ndaj Mihal Shupuli, 66 vjeç, dhe dy djemve të tij Foto dhe Jaras Shupuli , përkatësisht 43 dhe 39 vjeç, banues në fshatin Xarë-Sarandë; Jorgulla Jani, 39 vjeçe edhe kjo banuese në fshatin Xarë-Sarandë. Po të njëjtat burime kanë saktësuar për gazetën se procedimi penal ndaj këtyre shtetasve filloi pasi dyshohet të kenë paraqitur në konsullatën Greke, me qëllim për të përfituar leje qëndrimi në shtetin grek, certifikatë të falsifikuar në rubrikën e kombësisë, duke e falsifikuar atë si greke. Ndërkohë mësohet se për këta katër persona është lëshuar dhe urdhër-ndalimi. Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprën penale “Falsifikimi i akteve të gjendjes civile” parashikuar nga neni 191 i Kodit Penal.
Marrja e kombësisë
Ndërkohë edhe korniza ligjore për ndërrimin e kombësisë ka pasur mjaft diskutime. Disa kryetarë gjykatash, si ata të Gjykatës së Sarandës dhe Gjykatës së Përmetit, e kanë dërguar ligjin për “Gjendjen civile”, mbi bazë të të cilit janë pranuar ndërrimet e kombësisë, për interpretim në Gjykatën Kushtetuese. Drejtuesit e gjykatave të faktit në këto qytete kanë kërkuar nga Gjykata Kushtetuese të shpallë të papajtueshëm me Kushtetutën e vendit termin “kombësia”, të përcaktuara në Ligjin “Për Gjendjen civile”. Krahas kërkesës për interpretim juridik, në Shqipëri ka nisur edhe një iniciativë për të mbledhur mbi 20 mijë firma për t’iu drejtuar më pas Parlamentit dhe Presidentit për anulimin e disa dispozitave të Ligjit për Gjendjen Civile. Reagimet për ndërrimin e kombësisë erdhën në një kohë kur në Shqipëri po përgatitej të kryhej regjistrimi i popullsisë. Procesi përfshinte në formular deklarimin e kombësisë dhe fesë dhe kjo është kundërshtuar nga disa rrethe juridike dhe një seri organizatash dhe forumesh në Shqipëri. Nga ana tjetër Partia e të Drejtave të Njeriut dhe organizata e pakicës greke “Omonia” e kanë quajtur në përputhje me të drejtat e minoritetit standardin e parashikuar nga procesi i regjistrimit. Qeveria shqiptare e shtyu këtë proces, i cili pritej të niste në muajin prill, për në vjeshtë, duke e argumentuar vendimin me klimën e zgjedhjeve vendore të 8 Majit.
Nisma
Përfaqësues të Aleancës Kuq e Zi kanë qenë në qytetin e Shkodrës, ku para rektoratit të universitetit kanë organizuar marrjen e firmave kundër regjistrimit etnik e fetar në Shqipëri. Kjo është bërë në kuadër të turit që po zhvillon në çdo qytet të vendit kjo aleancë, e cila ka si qëllim heqjen nga formulari i regjistrimit të popullsisë së deklarimit fetar e etnik. Firmosja nga qytetarët shkodranë do të bëhet në dy ditë.