Pango: “Nuk e tolerojmë dhunën në sport”
“MTKRS-ja dhe qeveria shqiptare janë kundër çdo shfaqjeje dhune jo vetëm gjatë Asamblesë së Komitetit Olimpik, por dhe ndaj çdo sporti tjetër”. Ky është qëndrimi zyrtar i Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve, i shprehur nga ministri Ylli Pango, pas incidenteve të rënda të ndodhura të shtunën e kaluar, më 6 dhjetor 2008, gjatë punimeve të Asamblesë së 14-të të Përgjithshme Zgjedhore të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar.
QËNDRIMI - Sipas Pangos, MTKRS-ja do të monitorojë dhe ruajë paanshmërinë e Komitetit Olimpik Shqiptar, por duke u kërkuar të zbatojnë ligjet dhe statusin që e kanë aprovuar vetë. Çka përkthehet se Komiteti Ekzekutiv i KOKSH-it, si organizatore e Asamblesë, duhet të marrë në konsideratë pjesëmarrjen me të drejtë vote në Asamble të sportistëve olimpistë në tri olimpiadat e fundit.
OLIMPISTËT - Mungesa e tyre, çka u reflektua edhe në deklarimet e ashpra të atletes më të mirë shqiptare të të gjitha kohërave, Klodiana Shala, dhe qëndrimet agresive të njërit prej mundësve të elitës shqiptare pas viteve 1990, Elis Guri. “Duke qenë në vitin olimpik, - theksoi ministri Pango, - e gjithë vëmendja e Ministrisë, si organi më i lartë shtetëror përgjegjës për zhvillimin e sporteve, u përqendrua në ofrimin e mbështetjen maksimale të atyre federatave sportive që kanë sportistë të kualifikuar dhe kandidatë potencialë për të marrë pjesë në lojërat olimpike si dhe në Komitetin Olimpik Shqiptar”.
SLOGANET - Kreu i MTKRS-së përdori të njëjtat slogane pompoze, duke theksuar se olimpizmi përhap paqen dhe demokracinë dhe nuk ka asgjë të përbashkët me dhunën, mosrespektimin e ligjshmërisë me mungesën e demokracisë, transparencës, tolerancës. “Ne jemi të vendosur të dënojmë shfaqje të tilla në sport, të cilat kanë dëmtuar imazhin e sportit në vendin tonë, demokracinë dhe zbatimin e ligjit të sportit dhe të të gjitha akteve ligjore në fuqi”, - përfundoi konferencën e tij për shtyp ministri i MTKRS-së, Ylli Pango.
Incidentet në Asamble
Të shtunën, gjatë punimeve të Asamblesë së KOKSH-it, u arrit deri në konfrontime fizike midis kandidatit për president, Esat Ademi, dhe punonjësve të sigurisë, ndërkohë që kandidati tjetër, Fidel Ylli, u tregua tërësisht indiferent ndaj situatës së krijuar, ku u grisën fletë votimi dhe u thye njëra prej kutive të votimit të vendosura poshtë tavolinave të panelit zgjedhor. Të dielën, sipas asaj që raportuan mediat sportive, kandidati për president, Esat Ademi, depozitoi një kallëzim penal në Komisariatin Nr. 1 të Policisë së kryeqytetit për një nga rojet e sigurisë, Engjëllush Bekteshi, që sipas presidentit të Federatës së Peshëngritjes, kishte ushtruar dhunë ndaj tij.
Reagimi i KOKSH-it
Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar i konsideroi incidentet gjatë punimeve të Asamblesë së 17-të të Përgjithshme Zgjedhore si një prishje të imazhit të sportit në Shqipëri, duke e konsideruar dhunën jo vetëm si një humbje për lëvizjen sportive, por për të gjithë sportin shqiptar. Sipas presidentit ende në detyrë të KOKSH-it, Hysen Domi, Komiteti Olimpik Shqiptar ka përgatitur dokumentacionin zyrtar të shoqëruar me pamje filmike, për t’ia bërë të ditur Komitetit Olimpik Ndërkombëtar.
Sinjali nga IOC-i
Në konsultim edhe me Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, të njohur ndërkombëtarisht me shkurtimin “CIO” (International Olympic Committee), drejtuesit aktualë të KOKSH-it do të përcaktojnë edhe hapat e mëtejshëm, ku ndër të tjera do të përcaktohet edhe data e re procesit zgjedhor për zgjedhjen e presidentit të ri të KOKSH-it, një midis Fidel Yllit e Esat Ademit, si dhe sekretarit (kandidaturë e vetme është sekretari aktual Stavri Bello) si dhe 9 anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të KOKSH-it nga 15 kandidatura që janë përzgjedhur.
Për kë do të votohej
Për president të KOKSH-it
Kandidatët: Fidel Ylli e Esat Ademi
Për sekretarin e Përgjithshëm
Kandidat i vetëm: Stavri Bello
Për anëtarët e Komitetit Ekzekutiv.
Nga 15 kandidatë, zgjidhen 9 veta
Ana Qëndro, Artan Hajdari, Avni Ponari, Bujar Kasmi, Ela Tase, Flobenc Dilaveri, Genc Boga, Gëzim Panariti, Hysen Domi, Koço Mikerezi, Përparim Feruni, Skënder Anxhaku, Vesel Rizvanolli, Viron Bezhani, Vladimir Gjonaj.
9 Dhjetor 2008