E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klasikët në Tiranë me recitalin e Kosana Radojeviç



Në kuadrin e stinës skenike 2008 të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, dje është dhënë një recital nga pianistja e njohur malazeze Kosana Radojeviç. Artistja ka interpretuar pjesë të ndryshme të klasikëve të muzikës si Johan Sebastian Bah, Ludvig Van Bethoven dhe Frederik Shopen. Ky aktivitet është mundësuar falë bashkëpunimit të TKOB-it me Ambasadën e Malit të Zi në Shqipëri. Pianistja Radojeviç ka një karrierë të mirë si muzikante dhe si studiuese. Pas mbarimit të shkollës së muzikës “Kornelije Stankoviç” në Beograd, nën drejtimin e prof. Branka Dojçinoviç, studioi për piano në Akademinë e Muzikës në Podgoricë, në klasën e prof. Marjana Mike. Studimet i vazhdoi në Moskë në GMU “Gnjesinih” në klasën e prof. Vjeceslava Gabrijelova. E njëjta profesore diplomoi në Universitetin e Malit të Zi në vitin 1992 dhe magjistroi te prof. Vladimir Bockarjov në vitin 2002. Është fituese e shumë çmimeve për piano në konkurset e nxënësve dhe studentëve në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
Si soliste ka realizuar shumë koncerte në Teatrin Kombëtar të Malit të Zi në Podgoricë, në Teatrin Mbretëror “Zetski dom” në Cetine, në Festivalin “Grad Teatër” të Budvas, në Qendrën Kulturore të Malit të Zi në Paris, në Akademinë Serbe të Shkencës dhe Artit në Beograd, në Sallën e Koncerteve “Vatroslav Lisinski” në Zagreb etj. Radojeviç aktualisht merret me studimin e interpretimeve komperative në piano. Ajo ka botuar disa vepra si “Sfida e botës poetike të preludiumeve të Shopenit”, “Hulumtime për kuptimin barcarole të F. Shopenit” dhe është pedagoge në Akademinë e Muzikës të Universitetit të Malit të Zi në Cetine.

8 DHJETORI

Koncert tek “Asllan Rusi” për Ditën Kombëtare të Rinisë

Një koncert festiv është mbajtur dje në pallatin e sportit “Asllan Rusi” në Tiranë me rastin e 8 Dhjetorit, Ditës Kombëtare të Rinisë. Në koncert kanë marrë pjesë këngëtarë të ndryshëm, që nga më të rinjtë deri tek ata të afirmuarit, si dhe grupet e njohura të muzikës së lehtë. Gjithashtu, nuk kanë munguar performancat moderne dhe një skenar që revokon emocionet e protestave për liri dhe demokraci, të kryera nga studentët shqiptarë në vitet ’90.
MTKRS-ja ka deklaruar se aktivitete të tjera festive dhe përkujtimore do të zhvilloheshin për këtë ditë nga të gjitha institucionet që ajo drejton. Por, ajo që ra në sy më tepër ishte protagonizmi politik dhe ngritja e imazhit të PD-së sesa festimi i një dite që duhej t’i kushtohej krejt të rinjve shqiptarë me problematikën, sfidat dhe arritjet e tyre këtë vit.

9 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›