Vidhen për herë të katërt kabllot elektrike në Zvërnec
Vjedhja e 120 metër kabllo elektrike ka lënë sërish pa drita gjithë zonën e fshatit Zvërnec dhe Nartë. Dëmtimi i linjave kryesore elektrike ka lënë në terr të gjitha banesat, por edhe pikat qendrore të antenave shpërndarëse të sinjaleve televizive dhe disa operatorëve celularë. Kjo është hera e katërt brenda këtij muaj, që vidhen sasi të konsiderueshme kabllosh elektrike. Policia, pasi ka marrë njoftimin, ka përpiluar procesverbalet, por ende s‘ka asnjë të identifikuar për vjedhjen e përsëritur në të njëjtën zonë. Banorët e fshatit Zvërnec kanë protestuar sërish për neglizhencën e treguar nga policia. Ndërkohë, mësohet se OSSH-ja ka punuar deri vonë për zëvendësimin e dëmit dhe rikthimin e furnizimit me energji elektrike të zonës.