E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpërthimi i puseve, banorët e kalojnë natën jashtë nga frika

 

FIER - Një ditë pas lëkundjeve të tokës në Zharrëz e Kuqar, banorët janë ende në ankth. Paraditen e djeshme, qindra banorë të këtyre fshatrave kanë kërkuar zbardhjen e kësaj çështjeje, por janë ndeshur me një heshtje totale. Ata thonë se e kanë kaluar natën jashtë, nga frika se mos shtëpitë e dëmtuara i zinin brenda. “Jemi të trembur, edhe pse nuk ka pasur më lëkundje toke. Ndjejmë frikë pasi banesat e kanë marrë dëmtimin dhe mund të bien nga çasti në çast. Pritëm që të na kthehej një përgjigje nga ana e përgjegjësve të kësaj situate, por askush nuk na kontaktoi. Kemi mbetur në mes të katër rrugëve, dhe nuk dimë se çfarë të bëjmë”. Kanë qenë këto fjalët e një grupi banorësh, të cilët gjatë gjithë mbrëmjes së të premtes e ditës së djeshme kanë qëndruar jashtë banesave. Shqetësimi i tyre vazhdon të mbetet ai i mosparaqitjes së një grupi përkatës, i cili të evidentojë edhe dëmet që shkaktuan lëkundjet e tokës. Çati të rrëzuara, mure të prishur e ndërtesa të çara. “Ne duam të dimë konkretisht se të kujt janë puset mbi të cilat po punohet dhe kush i administron ato, për të gjetur më pas edhe përgjegjësin. Kemi marrë gra e fëmijë e jemi larguar nga banesat, por askush nuk ia vë veshin këtij problemi”.       m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›