E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëzohet vinçi, vdesin 2 punëtorë

 

KUKES/ JONUZ HALLAÇI

Shkëputet kavoja e vinçit, rrëzohen nga 40 metra lartësi dy punëtorë. Një shqiptar e një maqedonas humbin jetën, ndërsa dy të tjerë u plagosën në aksidentin fatal, gjatë punës në një prej urave të autostradës Durrës-Morin. Ngjarja ndodhi në një lot të segmentit Kolsh-Kukës, në urën në ndërtim e sipër 2 km, pa hyrë në qytetin e Kukësit.
Policia bëri të ditur se Arben Muçmata, 41 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Shtiqën të Kukësit dhe Vacno Svetkov, 49 vjeç, specialist i montimit të urave nga Maqedonia, humbën jetën menjëherë sapo ranë poshtë urës me lartësi 40 metra. Dy punonjës të tjerë janë plagosur lehtë dhe pasi kanë marrë ndihmën e parë kanë lënë spitalin e qytetit të Kukësit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 16 e 30 minuta të pasdites së të hënës, teksa punëtorët po montonin panelët e betonit në trasenë e urës. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta të policisë, një grup hetimor, ambulancat dhe mjeku ligjor. Hetimet për zbardhjen e ngjarjes vazhdojnë, ndërkohë që shkaku i vdekjes ka qenë aksidenti në punë e sipër. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se paneli e betonit ka rrëshqitur nga kavoja e vinçit dhe ka marrë me vete dy punëtorët, duke u shkaktuar atyre vdekjen e menjëhershme. Në polici ende nuk është shoqëruar asnjë person dhe vetëm disa prej tyre janë marrë në pyetje. Lartësia e urës është 40 metra dhe është një ndër urat e këtij loti që shtrihen në një terren të vështirë. Prokuroria e Kukësit po heton nëse janë zbatuar rregullat e sigurimit teknik gjatë punës dhe a janë bërë instruktimet e duhura. Në këtë lot punon firma shqiptare "Albulding" dhe në bazë të projektit segmenti duhej dorëzuar në muajin tetor të këtij viti, por afatet janë shtyrë disa herë.
Trupi i pajetë i Arben Muçmatajt u është dorëzuar familjarëve të tij një orë më vonë. Babai i tre fëmijëve ishte punësuar në montimin e pjesëve të urave dhe ndërtimin e skelave prej druri, që mbajnë betonet dhe këmbët e tyre. Ndërkohë, trupi tjetër i viktimës nga Maqedonia është në morgun e spitalit të qytetit të Kukësit, në pritje për t'u dërguar në vendin e tij. 49-vjeçari nga Maqedonia ishte teknik i montimit të pjesëve të urave. Në projektet e urave janë angazhuar shumë specialistë nga Maqedonia, sidomos në segmentin Kukës-Morin, me firmën maqedonase "Granit". Ky është aksidenti më i rëndë që ka ndodhur në tre vite pune në autostradën Durrës-Kukës-Morin, kur ka përfunduar shumica e projektit. Ne verën e vitit 2007 gjeti vdekjen një 30-vjeçar nga fshati Gjegjan i Kukësit, kur gjatë pushimit të drekës një gur u rrokullis duke i rënë në kokë dhe duke i marrë jetën. Më pas, në tunelin e Kalimashit, nga shembja e një masivi në galeri u plagos lehtë një punëtor shqiptar dhe dy turq, të cilët u mjekuan në Prizren. Një aksident tjetër i rëndë ka ndodhur më 30 dhjetor të vitit të kaluar, kur nga shembja e inerteve në galeri u plagos rëndë një saldator nga Kukësi, i cili megjithë ndihmën e dhënë në Turqi ende nuk ngrihet në këmbë dhe u plagosën tre specialistë turq. Nga shembja më e madhe në galerinë jugore dy javë më parë, kur u shemb një masiv gjigant dherash fatmirësisht nuk pati viktima.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›