E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rehn: Bojkoti s’është politikë evropiane, Rama: Në rrugë për të rrëzuar Berishën

 

Ambasadori i KE-së në Tiranë, Helmut Lohan, e cilëson të domosdoshme praninë e opozitës në Kuvend. Këto komente Lohan i bëri në emisionin studio e hapur në TV Alsat, të gazetares Eni Vasili, duke theksuar se bojkoti i PS-së jo vetëm bllokon reformat por dëmton dhe anëtarësimin në BE. Çfarë mendoni për këtë situatë të tejzgjatur të bojkotit parlamentar të opozitës?
Është tepër e qartë se e kanë në dorë politikanët e opozitës për të vendosur strategjitë e tyre, në interesin më të mirë të vendit të tyre, nuk e kemi ne në dorë të vendosim strategjitë e tyre, ne vetëm vëzhgojmë.
Keni një ide se çfarë kostoje ka kjo për qytetarët shqiptarë në proceset që folëm deri tani?
Ne kemi folur deri më tash për nevojën për reforma tepër të mëdha, të cilat nuk mund të arrihen pa praninë e të gjithë deputetëve të zgjedhur në parlament, për arsye të maxhorancës së kualifikuar si votim, kështu që këtu kemi një kosto për sa i përket vonesës që do të ndodhë në reforma. Por është edhe një çështje tjetër më thelbësore, që ka të bëjë me integrimin në BE. Një prej kritereve politike për anëtarësimin në BE është ajo që ka të bëjë me stabilitetin demokratik, i cili duhet të mbështetet në debatin politik, dialogun politik, vendimet politike në parlament, e kështu fakti që parlamenti nuk mund të funksionojë tërësisht në mënyrë që të sjellë maxhorancën e kualifikuar, ky është një faktor që do të ketë ndikim negativ në vlerësimin e KE për kriteret politike të Shqipërisë.
Opozita ka filluar protestat në rrugë. Keni një vlerësim për këtë situatë?
Sigurisht manifestimet janë një nga shprehjet e vullnetit të popullit, por ato duhet të jenë paqësore dhe duhet të respektojnë parametrat që janë të përcaktuar në ligj. 
Zgjidhjen ju vazhdoni ta shikoni në rikthimin e opozitës  në parlament? Megjithatë mendoni se qeveria ka bërë sa duhet për ta zbutur këtë situatë?
Ne nuk jemi arbitër. KE nuk ka për qëllim të jetë arbitër. Mesazhi ynë është që një nga kriteret thelbësore për anëtarësim në BE është stabiliteti i demokracisë në vend. Stabiliteti i demokracisë duhet të mbështetet në një parlament funksional dhe parlamenti funksional duhet të mbështetet në praninë e deputetëve të zgjedhur, dhe nga ky parim mund t’i kthehemi sërish diskutimit që e kemi bërë më parë në lidhje me reformat që duhet të miratohen, përmirësime që duhen bërë në Kodin Zgjedhor, sugjerime që janë bërë në raportin e OSBE-ODIHR. Pra të gjitha këto çështje duhet të trajtohen vetëm brenda parlamentit dhe jo jashtë tij.
Do ta quanit situatën politike në Shqipëri në krizë?
Unë shikoj që ka një gjendje ngecjeje në zhvillimin e reformave në Shqipëri. Pra një ngecje që është krijuar për shkak të mungesës së maxhorancës së kualifikuar në parlament.
Ju jeni duke ndërmarrë ndonjë iniciativë për të ulur në dialog pozitën dhe opozitën?
Jo. Jo nuk po e bëjmë këtë.
A keni ndërmend ta bëni?
Siç thashë edhe më parë, KE nuk ka për qëllim të jetë arbitri i këtyre spektreve politike në Shqipëri.
Pra këtë herë nuk do të ketë asnjë ndihmë për politikën shqiptare, siç shpesh ka ndodhur?
Ne kemi bërë thirrje për dialog politik. Fjala dialog do të thotë që ka dy pjesëmarrës në të, pra ne nuk kemi bërë thirrje për trialog të themi, duke përfshirë këtu BE apo ndërkombëtarë të tjerë. Çështja ka të bëjë me dialogun politik, i cili duhet të rikthehet në arenën e politikës dhe siç thuhet duhen dy persona të vallëzojnë tango.
A mendoni se do të kemi vallëzim tango përpara vitit të ri?
Kjo do të varet nga partnerët e vallëzimit tango. Të shikojmë nëse festimet e Vitit të Ri do të jenë koha më e mirë e mundshme për të filluar kërcimin.

Rehn: Bojkoti i Kuvendit nuk është formë evropiane
Komisioneri për Zgjerimin Olli Rehn i bëri thirrje dje opozitës të rikthehet në Kuvend, duke u shprehur se bojkoti nuk është formë evropiane e të bërit politikë. Në një intervistë për “Top Channel” zyrtari i lartë i Brukselit i pyetur mbi protestën 3 ditore të opozitës theksoi se: “Mendoj se do tw ishte e rëndësishme që në këtë moment të garantohet, që Shqipëria të tregojë pjekuri dhe stabilitet politik. Dhe unë nuk i shoh bojkotet e Parlamentit si një formë evropiane e të bërit të kësaj gjëje”, thekson Rehn. Pak ditë më parë gjatë një takimi me zv.kryeministrin Ilir Meta Komisioneri për Zgjerimin kërkoi nga qeveria gjetjen e një zgjidhje për krizën politike. “Progresi drejt BE kërkon reforma të vështira dhe konsensus politik në prioritete kyçe. Kjo është thelbësore për çdo vend që të bëjë progres drejt BE. Në emër të forcimit të konsensusit politik, i kam kërkuar zv.kryeministrit të gjejë një zgjidhje për bllokadën aktuale politike dhe për bojkotin e Parlamentit prej opozitës. Patjetër që ky është një shqetësim që e kam ngritur edhe me opozitën dhe i kam kërkuar asaj që t’i japë fund bojkotit parlamentar, që nuk respekton standardet demokratike evropiane. Debati demokratik duhet të ndodhë brenda Parlamentit”, u shpreh Rehn. Sipas tij, gjetja e konsensusit politik dhe fundi i bojkotit nga opozita janë të rëndësishme sidomos në këtë periudhë.

“Në rrugë     të rrëzojmë Berishën”

Aristir Lumezi

Opozita ftoi dje punëtorët sindikalistë t’i bashkohen prote-stave të pandalshme opozitare për të rrëzuar qeverinë.
Në fjalën e tij përshëndetëse në kongresin e katërt të Konfederatës së Sindikatave, kreu i socialisteve Edi Rama kërkoi bashkim për të shpëtuar vendin nga rrënimi ekonomik dhe politik. “Unë ju ftoj që ju të mos ua lëshoni Sali Berishës ato prona dhe ju siguroj që ka vetëm një rrugë për t’i ruajtur, për çdo shqiptar, liritë dhe të drejtat, pronat e shpresat e veta: të dalë në rrugën e protestës së pandalshme, deri në rrëzimin e Sali Berishës”, u shpreh Rama. Kreu socialist i ka kërkuar sërish kryeministrit Berisha nga tribuna e sindikalistëve, që të reflektojë në ditët që kanë mbetur nga ultimatumi i opozitës. “Ftesa ime për Sali Berishën është e qartë dhe e drejtpërdrejtë: reflekto për këto ditë që ke kohë. Ndërsa për të gjithë ju është po ashtu e qartë dhe e drejtpërdrejtë: Ejani të gjithë me ne, jo për t’u rreshtuar majtas apo djathtas, por për të qëndruar në këmbë përballë këtij regjimi të korrupsionit, deri në fund, deri kur në Shqipëri llumokracia të zhbëhet dhe demokracia të ribëhet, me zgjedhje të lira e të ndershme, me konkurrencë të lirë për të gjithë dhe me meritën e secilit me punë dhe dialog social”, u shpreh Rama.
Kreu i PS dhe njëkohësisht kryetari i Bashkisë së Tiranës, duke e cilësuar ligjin e tatimeve për biznesin e vogël rrënues për ta, tha se kjo do të rëndojë gjendjen ekonomike të shqiptarëve, pasi është një numër shumë i madh biznesesh që preken nga ky ligj. “Si kryetar i Bashkisë së Tiranës, së bashku me kryebashkiakët e kryekomunarët e opozitës në të gjithë Shqipërinë, i kemi bërë një apel publik Sali Berishës, ku kërkojmë anulimin e kësaj barre të re fiskale të jashtë logjikshme dhe të papërballueshme për biznesin e vogël”, u shpreh Rama. Kreu socialist ka sjellë disa fakte që tregojnë përkeqësimin e situatës ekonomike në vend për shkak të keqqeverisjes dhe i ka kërkuar sindikalistëve të mbështesin opozitën. “Nuk do të mjaftohemi me fjalë, do të reagojmë fortë me veprim aktiv në mbrojtje të dhjetëra-mijëra familjeve, që mbahen përmes biznesit të vogël, në mbrojtje të së gjithë qytetarëve që në janar do të gjenden përballë çmimesh të rritura më larta akoma, në mbrojtje të buxheteve lokale që pa kontributet e biznesit të vogël nuk mund t’u shërbejnë normalisht komuniteteve me pastrim, ndriçim, gjelbërim, çerdhe, kopshte, shkolla, rrugë e me radhë”, u shpreh Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›