E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrihen 4 afganë, plagoset me armë njëri

03/04/2012  Policia: Arrestuam autorin, të huajt hynë dhe jetojnë ilegalisht në Shqipëri

DURRES- Katër emigrantë ilegalë afganë janë konfliktuar mes tyre për motive të dobëta në plazhin e Durrësit, dhe nga konflikti me thika është plagosur njëri prej tyre. Sipas burimeve policore durrsake raportohet se i plagosur është 22-vjeçari Abdyl Bashir, i cili është transportuar në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Po për këtë vepër është arrestuar një bashkëqytetar i të plagosurit, i cili mendohet të jetë autori i plagosjes me thikë të 22-vjeçarit.

Ngjarja

Kishin hyrë ilegalisht në territorin shqiptar, po ashtu jetonin dhe ilegalisht në Durrës në një mjedis të marrë me qira, por nuk kanë ngurruar të përplasen mes tyre fizikisht duke lënë të plagosur dhe një shtetas të tyrin. Sipas burimeve, një afgan 22 vjeç është plagosur me armë të ftohtë, ndërsa njërit i janë vënë prangat. Po kështu dhe 2 “protagonistët” e tjerë janë shoqëruar në polici dhe do mbahen deri sa të sqarohet i gjithë itinerari i tyre nga vendlindja deri në Shqipëri. Mësohet se ngjarja u regjistrua në orët e para të mëngjesit të së hënës në plazhin e Durrësit, dhe policia bën me dije se emigranti i plagosur është 22-vjeçari Abdyl Bashir.

Sipas policisë, ai po merr mjekime në urgjencën e spitalit të Durrësit, dhe është jashtë rrezikut për jetën. Uniformat blu të qytetit bregdetar kanë arrestuar autorin e ngjarjes, 37-vjeçarin Alsameda Hysenkada. Policia e Durrësit bën me dije se katër emigrantët afganë kanë hyrë ilegalisht nga Greqia në territorin shqiptar. Ata qëndronin të fshehur prej disa kohësh në një apartament me qira në plazhin e Durrësit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›