E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, arrestohet 25-vjecari, i dënuar për vrasje në Itali

VLORË- Arrestohet në Vlorë Erion Canaliaj, me qëllim ekstradimi në Itali.

Burime të policisë së qytetit bregdetar bëjnë me dije se ditën e sotme është finalizuar me sukses operacioni i koduar “ARREZO” ku si rezultat u bë e mundur kapja dhe arrestimi i shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar, Erion Mynyr Canaliaj, 25-vjec lindur në fshatin Sevaster e banues në Vlorë.

Ky shtetas është shpallur në kërkim nga INTERPOL Roma pasi më datë 19.10.2010 në Arrezo, Itali në bashkëpunim me një shtetas tjetër Arbër Hoxha, i arrestuar dhe i gjykuar nga autoritetet Italiane, ka vrarë me armë të ftohtë (thikë) një shtetas Rumun, dhe ka tentuar të vrase një tjetër.

Gjithashtu ky shtetas ka kryer edhe vepra të tjera penale në territorin Italian si “Grabitja” dhe “Posedimi i paligjshëm e armëve të zjarrit” vepra për të cilat është dënuar me 30 vjet burg nga Gjykata e Arrezos Itali, e cila ka lëshuar një urdhër ndërkombëtar ndalimi për veprat penale të mësipërme.

Kapja e Canaliaj  u krye nga Sektori i Operacioneve Speciale dhe Sektori Kundër Krimeve të Rënda të Drejtorisë Policisë Qarku Vlorë në zonën e Skelës pas marrjes së informacioneve mbi vendndodhjen e tij.

25-vjecari pritet ti nënshtrohet procedurave ligjore për ekstradimin e tij në Itali.
(el.me/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›