E Diel, 1 Nëntor 2026

Sheri Mita Ngadhënjimi i fundit mbi vdekjen

03/04/2012  Aktori mbyll sytë në moshën 69-vjeçare, duke lënë pa realizuar projektin e tij të fundit lidhur me jetën e Kujtim Spahivoglit

Blerina GOCE

Dikur, përkrah të madhit Naim Frashëri, ai interpretonte në “Ngadhënjim mbi vdekjen” dhe vetëm një ditë më parë ai e takoi vdekjen reale, për të ngadhënjyer sërish mbi të, edhe pse ajo e mori.

Aktori i njohur Sheri Mita prej ditës së djeshme nuk ndodhet më mes të gjallëve. Një aktor skene dhe filmi si edhe skenaristi Mita mbylli sytë papritur në moshën 69-vjeçare.

Ai la pas pa përmbushur një “merak” të fundmë: realizimin e një vepre për jetën e mikut të tij, Kujtim Spahivogli.

Së fundi, Sheri Mita është shfaqur në ekran me rolin e priftit në filmin “Kronikë provinciale” (2009) të regjisorit Artan Minarolli.

Regjisori Minarolli shprehet i tronditur nga lajmi i vdekjes së Mitës, ndërsa sjell ndërmend kujtimet më të bukura të punës me artistin në “Kronikë provinciale”.

“Kam punuar në Berat me të. Kam kujtimet më të bukura. Ishte miku i afërt i dajës tim, Kujtim Spahivoglit. Hera e fundit që kam punuar ka qenë tek ‘Kronikë provinciale’, një rol i vogël, por mjaft interesant”, shprehet Minarolli, ndërsa shpjegon se së fundi e ka takuar shpesh për të realizuar së bashku projektin për jetën e Kujtim Spahivoglit.

I lindur në fshatin Fterrë të Sarandës, Sheri Mita përfundoi studimet në Institutin e Lartë të Arteve (sot Universiteti i Arteve) për Dramaturgji. Ka shkruar dhe ka vënë në skenën e teatrit “Migjeni” të Shkodrës komedinë “Këshilli i Ndrikullave”. Ka shkruar dhe ka vënë në skenë në Teatrin e Fierit Dramën: “Dy krisma në Paris”, “Vite të Paharruara”. Nga Viti 1976 deri në vitin 1989 ka qenë regjizor dhe dramaturg i Teatrit dhe Estradës profesioniste të Beratit “Margarita Tutulani”, ku ka vënë në skenë me dhjetëra komedi, drama dhe variete. Është dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me Urdhërin “Naim Frashëri i Artë”, si dhe është nderuar me Titullin “Qytetar Nderi” i Krahinës së Lukovës dhe Sarandës. Në jetën e tij artistike mbi 30-vjeçare ka mbi 40 role në kinematografi, teatër e estradë. “Sherri është poliedrik në krijimtarinë e vet të pasur. Njihet dhe si dramaturg, komediograf, libretist, si regjisor e drejtues artistik i Varietesë së Tiranës për një dekadë. Nga regjimi i shkuar nuk u trajtua siç e meritonte. Fillimisht, duke e hequr nga Teatri Kombëtar, u dërgua si regjisor estrade në Berat. “Më pas, me gjithë kërkesat e institucioneve të ndryshme për t’u kthyer përsëri në kryeqytet, lëshoheshin ‘rrufetë’ e biografisë. Si hije e ndiqte emigracioni i të jatit në Amerikë, si dhe ndonjë letër anonime, kur Shefki Mita ishte një profesor i shquar i gjermanishtes dhe i anglishtes, violinist i apasionuar dhe patriot i përmalluar për ta parë atdheun e vet një ditë të lumtur dhe të lulëzuar. Ai e kaloi jetën në emigracion ekonomik, duke mbajtur sytë dhe zemrën e brengosur tek Shqipëria dhe familja e vet e dashur”, shkruan për të Sulejman Mato.

Së fundi, Sheri Mita është shfaqur në ekran me rolin e priftit në filmin “Kronikë provinciale” (2009) të regjisorit Artan Minarolli.

Ndër intepretimet e tjera të tij përmendim rolet në: “Rrugicat që kërkonin diell” (Kryetari i njësitit), “Gjoleka i biri i Abazit” (daja), “I paharruari” (Ndjekësi), “Përdhunuesit” (Shefi i sigurimit), “Vitet e pritjes” (Qendro Bukhudhra), “Kronikë e një nate” (austriaku Jozef), “Vetmi” (Petraqi), “Ballë për ballë” (gazetari rus), “Ngadhnjim mbi vdekjen” – 1967 (Villi Heller), “Familja ime” – 1987, (Stavri), “Të mos heshtësh” – 1985, “Gjurmë në dëborë” -1984, “Nata e parë e lirisë” – 1984, “Skëterrë 43” -1980, “Gjeneral gramafoni” – 1978, “Njerëz në rrymë” (Inxhinieri), “Yjet e netëve të gjata” (Xhelo paterica), “Operacioni ‘zjarri’” (Gjin Martini), “Oreksi i madh” – 1995 (TV). Ka fituar disa çmime, ku përfshihen Çmimi i Dytë në Konkursin Kombëtar të Letërsisë me rastin e 30-vjetorit të Ushtrisë, me komedinë “Familja e madhe”, 1971; Çmimi i dytë në Konkursin Kombëtar të Letërsisë në vitin 1983 me dramën “Dy krisma në Paris”; Çmimi i Dytë në Konkursin Kombëtar të Letërsisë në vitin 1974 me dramën “Vite të paharruara”. Në vitin 2004 i është dhënë Urdhri “Naim Frashëri i Artë”, ndërsa në vitin 2007 iu dha titulli “Qytetar nderi i krahinës së Lukovës”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›