E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrihet Milan Ivanoviq

Kryetari i të ashtuquajturit Këshilli Nacional Serb për veriun e Kosovës, Milan Ivanoviq është sulmuar fizikisht në hotel "Sasha" në pjesën veriore të Mitrovicës, nga pronari i hotelit Sasha Dedović.

Incidenti ka ndodhur të dielën rreth orës 11:30.

Zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti tregon se Policia e Mitrovicës nuk ka asnjë informacion sepse nuk është raportuar asgjë zyrtarisht për këtë incident.

“Deri më tani nuk kemi pasur asnjë ankesë nga asnjëra palë. Ka mbetur që hetuesit nga shërbimi policor të kontaktoj palët, të cilët thuhet se kanë qenë të përfshirë në këtë incident, për tu zhvilluar hetime të mëtutjeshme”, thotë Hoti për Express.

Express ka tentuar disa herë të bisedojë edhe me Milan Ivanoviqin por komunikimi me të ishte i pamundur.

Ndërsa sipas njoftimeve që ka publikuar agjencia e lajmeve të Serbisë “Tanjug”, Ivanoviq thotë se ky i fundit ishte në hotel kur u godit nga pjesa e prapme e kokës nga pronari i hotelit Sasha Dedović.

"Kam qenë i sulmuar nga prapa. Pronari më goditi në kokë dhe më shkaktoi dëmtimit fizik. Pres se autoritetet gjyqësore të Republikës së Serbisë që të bëjnë punën e tyre dhe të zgjidhin e incidentit në rrugën e drejt të sundimit të ligji", tha Ivanoviq.

Ai po ashtu tha se motivi për sulm mund të jetë edhe organizimi, i cili synon tubimin kundër strategjisë për veriun e Kosovës, që është hartuar nga përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës dhe disa përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare.

“Dedovic është në listën e pagave të kryeministrit të Kosovës dhe përfaqësues civil ndërkombëtar në Kosovë”, tregon Milan Ivanoviq.

Kurse pronari i hotelit Sasha Dedovic një akuzë të tillë e mohoi duke thënë se ai nuk është në asnjë listë të pagave të Kosovës.

Pronari i hotelit, Dedović shpjegon se kryetari i KKS në Kosovën Veriore është person i padëshirueshëm në objektin e tij, për shkak se në vitin 2008 vet Ivanoviq kishte organizuar dhe kishte dhënë urdhër për bombardimin e lokalit të tij.

"Ky person rrezikon jetën time dhe jetën e anëtarëve të familjes sime. Stafi im dhe unë kam qenë i dënuar për të. Kështu që vendosa se është person i padëshirueshëm dhe se nuk mund të jetë mysafir i lokalit tim", tha Dedović.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›