E Diel, 1 Nëntor 2026

Rripi i Gazës, moti i keq shkakton përmbytje masive

Në hartën e vendeve të globit, të cilat po vuajnë pasojat e motit të keq, është futur tashmë edhe zona e Rripit të Gazës. Ditët e fundit rajoni i Lindjes së Mesme ka pasur një densitet tepër të lartë reshjesh shiu, çka nuk është e zakontë për këtë territor. Këto reshje kanë shkaktuar përmbytje të shumta, madje duke shkatërruar edhe shumë banesa.
Forcat e shpëtimit kanë detyruar me qindra njerëz që të evakuohen dhe të drejtohen për në zona më të sigurta për jetët e tyre.
Një banor i zonës u shpreh, se gjatë kësaj vale përmbytjeje nuk kishte parë ndonjë person të lënduar, por megjithatë ai pohoi se shumë pasuri dhe orendi shtëpiake të banorëve ishin shkatërruar plotësisht.
"Uji është futur brënda shtëpive dhe ka shkaktuar shumë dëme materiale. Madje shumë prej bagëtive kanë ngordhur si pasojë e kësaj fatkeqësie natyrore."- u shpreh banori i zonës, Hussein Assuboh.
Shumë prej palestinezëve gjatë sulmeve izraelite në Rripin e Gazës humbën shtëpitë e tyre dhe një pjesë e tyre e mirë jetonin akoma në tenda dhe në shtëpi të ndërtuar me dërrasa. Sipas informatave të forcave të emergjencave civile, shumica e këtyre banesave raportohen të jenë shkatërruar nga përmbytjet. Por nuk ka një bilanc të saktë për numrin e saktë të shtëpive të përmbytyra.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›