E Diel, 1 Nëntor 2026

Merkel-Netanjahu, takim dypalësh në Berlin

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, u prit ditën e hënë në një vizitë zyrtare në Berlin nga kancelarja gjermane Angela Merkel. Të dy liderët e dy vendeve ish-armike folën me njëri-tjetrin në lidhje me bisedimet të cilat lidhen me çështjen e nxehtë të Iranit si edhe me problematikën e pazgjidhur të Lindjes së Mesme.
Ndër të tjera Netanjahu dhe Merkel diskutuan për procesin e ndihmave që mund tu akordohet vendeve të botës së tretë.
Pjesa më e rëndësishme e takimit dy palësh ishte çasti kur dy liderët bënë një vizitë në memorialin kushtuar Holokaustit dhe viktimave çifute të vrara nga ushtria naziste gjermane gjatë Luftës së Dytë Botërore. Takimi mes dy qeverive, që simbolizon vlera të mëdha, ishte i dyti që prej vizitës së Merkel në Jerusalem në mars të 2008-s. Netanjahu shoqërohej nga ministri i Mbrojtjes, Ehud Barak, shefi i diplomacisë, Avigdor Lieberman dhe zëvendësi i tij, Danny Ayalon.
Kryeministri izraelit i ofroi si dhuratë Merkelit një vizatim abstrakt që përfaqësonte lutjen për viktimat naziste, vepër e realizuar nga një i mbijetuar i Holokaustit, Fishel Rabinowicz. Para nisjes së tij, Netanjahu nënvizoi rëndësinë e kësaj vizite.
Izraeli e konsideron Gjermaninë si një nga aleatët strategjikë, 45 vjet pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›