E Diel, 1 Nëntor 2026

Rritem investimet Berisha I shpetuam krizes globale

Investimet e huaja në Shqipëri për katër vitet e fundit kanë kapur vlerën e 4 miliardë dollarëve. Duke krahasuar shifrat e pesë vjeçarit të fundit me 8 vitet e socialistëve në pushtet, kryeministri Sali Berisha thotë se investimet e huaja në Shqipëri nuk u ndalën as nga protestat e opozitës në rrugët e Tiranës.
 
“Vendi që në tetë vite sëbashku mori rreth 300 milion dollarë, merr në katër vite mbi 4 miliardë dollarë. Këto investime u shndërruan në një mekanizëm të  madh e të fuqishëm të trefishimit të eksporteve, të shumëfishimit të punësimit dhe gjenerimit të të ardhurave. Imagjinoni se çfarë ndikimi negativ kanë pasur protestat në Tiranë, çfarë ndrojtje kanë krijuar ato. E megjithatë, ajo që është themelore është se ato nuk kanë arritur të lëkundin besimin e investitorëve të huaj tek Shqipëria”-tha Berisha.

Përqëndrimin e investimeve të huaja, kreu i qeverisë e kërkoi edhe tek pushteti lokal. Duke kritikuar punën 11-vjeçare të Bashkisë së Tiranës, Berisha theksoi se me rimarrjen e bashkisë më të madhe të vendit, në kryeqytet do të rikthehen investimet e huaja.

“Me riorientimin e bashkisë së Tiranës, e cila është lokomotiva e zhvillimit të vendit, në një bashki të bazuar mbi tregun e vlerat e tij. Në rast se 11 vite, qytetarët e Tiranës nuk kanë dëgjuar as edhe një herë të vetme fjalën investimet e huaja direkte në kryeqytet, për arsye tashmë të njohura të një klientele të ngushtë që kërkonte që çdo hapësirë e çdo gjë  ta dispononte për vete dhe shpallte antikombëtare çdo përpjekje, kjo situatë merr fund”-theksoi kryeministri.

Në fjalën e tij, kryeministri premtoi se do të bëjë gjithçka për lehtësuar punën e investitorëve të huaj dhe kërkoi që për vitin 2011, ato të arrijnë në vlerën e 2 miliardë dollarëve në vit.

Erjon Ajazi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›