E Diel, 1 Nëntor 2026

Rritemi më ngadalë se fqinjët në rajon

Vëzhgimi Shifrat e Eurostat sfumojnë qeverinë shqiptare

Shifrat e fundit që publikoi Instituti Europian i Statistikave, zbehin edhe një herë euforinë politike për rritjen e ekonomisë shqiptare. Të dhënat tregojnë se edhe pse Shqipëria trumbetohet si vendi i vetëm në Europë, që i shpëtoi krizës ekonomike, shqiptarët po pasurohen edhe më ngadalë sesa disa nga fqinjët e tyre që kanë pranuar zyrtarisht se ishin në krizë.

Në vitin 2009, të ardhurat për frymë të shqiptarëve arritën në 27 për qind e Bashkimit Europian, nga 26 për qind që ishin një vit më parë. E thënë ndryshe, krahasuar me mesataren e vendeve të Bashkimit Europian, pasuria e shqiptarëve është shtuar me 1 pikë përqindje. Por fqinjët tanë lindorë, maqedonasit për të njëjtën periudhë i kanë rritur të ardhurat e tyre ndaj Bashkimit Europian, dy herë më shumë.

Sipas Eurostat, të ardhurat për frymë të Maqedonisë arritën në fund të 2009 në 35 për qind të mesatares së Bashkimit Europian, nga 33 për qind që ishin në 2008-n, edhe pse qeveria maqedonase nuk e cilësoi asnjëherë vendin e saj si fortesë ekonomike të paprekur nga kriza globale. Polonia, e cila në vitin 2009, pati një rritje ekonomike prej vetëm 1 për qind, ka mundur që t’i rrisë të ardhurat e saj ndaj Bashkimit Europian me 5 pikë përqindje. Këto të dhëna, të Eurostat, ndonëse paraprake, tregojnë se rritja ekonomike e Shqipërisë, më tepër shërben si shifër për të bërë politikë, sesa tregues real i mirëqenies së shqiptarëve. Këta të fundit duket se do të mbeten populli më i varfër i kontinentit, edhe për shumë vite, pavarësisht nëse shifra e rritjes ekonomike që publikon Instituti i Statistikave INSTAT-i është më e larta në Europë, qoftë kjo 3 apo edhe 6 për qind. TCH

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›