Struktura e re e policisë, bum ndryshimesh edhe në kryeqytet
Struktura e re e policisë, heqja e seksioneve të ndryshme, krijimi i seksioneve të reja, ndryshimi i tyre nga krimet te rendi, ose anasjelltas, ka sjellë edhe një sërë lëvizjesh në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Duke filluar që nga shefat e sektorëve, shefat e seksioneve e deri te shefat e rendit apo të krimeve në komisariate janë ndryshuar, duke u njohur me funksionet e reja.
Dy ditë më parë, në Drejtorinë e Policisë së Tiranës ka ardhur struktura e re, bashkë me emërimet për çdo shef seksioni apo sektori. Megjithatë, në këtë strukturë janë rikonfirmuar drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, dhe tre zëvendësdrejtorët e tij, Artan Cuku për Hetimin e Krimeve, Gjergj Jorgo për Rendin dhe Xhavit Cicin për Shërbimet Mbështetëse. Gjithashtu, rikonfirmim kanë marrë edhe shefat e gjashtë komisariateve. Por, nuk ka qenë e njëjtë për të tjerët. Kështu është ndryshuar një hallkë e rëndësishme e policisë së Tiranës, që është Antikrimi i Organizuar. Vetëm pak kohë më parë, në krye të Sektorit Kundër Krimit të Organizuar u vendos Lorenc Meta, i cili erdhi nga Sektori Kundër Krimit Ekonomik. Me lëvizjet e reja, kryekomisar Meta është dërguar shef komisariati në Rrëshen. Ndërkaq, vendi i tij është zëvendësuar nga kryekomisari Edmond Hala, i cili deri dje mbante funksionin e shefit të Seksionit të Antidrogës. Në këtë gjashtëmujor, nën drejtimin e tij Antidroga ka arritur shifrat më të larta sesa gjithë viti i mëparshëm. Numri i të arrestuarve dhe operacioneve ka qenë ndër më të lartët krahasuar me vitet e tjera. Ndërkaq, ndryshimet nuk kanë qenë vetëm në emrat e personave që marrin funksione të ndryshme, por edhe në shkurtimin e disa seksioneve, që tashmë do t’u kalojnë në varësi komisariateve të policisë, të cilëve u ishin hequr shumë kompetenca.
Vendi i lënë vakant nga Edmond Hala është marrë nga oficeri Bledar Rreshka. Komisar Rreshka është emëruar shef i këtij seksioni. Ndërsa ndryshime ka pasur edhe në seksionin e Antitrafikut, po në Drejtorinë e Tiranës. Kështu, Edmond Sula është liruar nga ky funksion për t’u emëruar në një tjetër, ndërkohë që shef i seksionit kundër trafiqeve është emëruar Ilirjan Demaj. Antikrimi i Organizuar ka emëruar edhe shefin e ri të seksionit për hetimin e aseteve kriminale, i cili është komisar Arbër Zemani. Ndërkaq është ndryshuar edhe shefi i sallës operative, ku është emëruar Zijadin Allaraj, i cili deri dje mbante funksionin e shefit të parandalimit të krimit në Komisariatin nr. 4. Gjithashtu, te Sektori i Krimeve të Rënda është emëruar shefi i seksionit të hetimit dhe parandalimit të krimit, i cili është Gazmend Hamitaj. Ai mbante funksionin e shefit të rendit në Komisariatin nr. 5 që prej pak muajsh, kur ishte transferuar nga Komisariati nr. 4.
Ndryshimet kanë prekur edhe komisariatet e Tiranës, ku janë ndryshuar pothuajse të gjithë shefat e rendit dhe shefat e krimeve. Kështu, shef rendi në Komisariatin nr. 1 është emëruar Zenel Bejko, i cili është rikthyer nga reforma. Ai zëvendëson Arsen Sinematin, i cili mbetet në dispozicion.
Ndërkaq, në dispozicion ka mbetur edhe shefi i parandalimit të krimeve në Komisariatin nr. 1, Fatmir Sinani. Në vend të tij është emëruar komisar Përparim Allmuça, i cili vjen nga i njëjti funksion në Komisariatin nr. 3. Në komisariatin nr. 2 mbetet pa lëvizur shefi i krimeve, Ferdinand çepja. Ndërsa shef rendi është emëruar Sami Sharra, i cili mbante të njëjtin funksion në Komisariatin nr. 4. Në Komisariatin nr. 3 është ndryshuar shefi i krimeve. Kështu, në seksionin e parandalimit të krimit është emëruar Ylli Vata. Ndërsa shefi i rendit nuk është luajtur, ku mbetet Blerim Berbati. Në Komisariatin nr. 4 është emëruar shef i seksionit të parandalimit të krimit Genti Bajrami, i cili mbante funksionin e shefit të seksionit kundër vjedhjes së automjeteve në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Ndërsa shef i seksionit të rendit është emëruar Arben Xhedija. Në Komisariatin nr. 5 shef krimesh mbetet Qani Lami, ndërkohë që shef rendi emërohet Mynyr Muça, i cili ishte shef seksioni te salla operative. Gjithashtu, edhe te Komisariati nr. 6 ka pasur emërime të reja, ku shef krimesh është emëruar Benet Koka, i cili deri dje mbante funksionin e shefit të seksionit të vjedhjeve kundër biznesit, ndërsa shef rendi është emëruar Vendim Ymeraj.
#