E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rriten 15%, pagat e mësuesve, mjekëve e infermierëve

Autori i Lajmit: Silvana BalliuPagat e arsimtarëve dhe punonjësve të shëndetësisë gjatë vitit 2008 do të rriten përsëri, kundrejt vitit 2007 me 15 për qind. Fondi i pagave për sektorin e arsimit dhe shëndetësisë, në shpenzimet e projektbuxhetit 2008, parashikohen të rriten me nga 15% për secilin sektor, bën të ditur Ministria e Financave.
Në këtë projektbuxhet parashikohet se rritja e pagave të mësuesve të sistemit të arsimit parauniversitar, bëhet me qëllim dyfishimin deri në vitin 2009 si dhe do të ketë rritje të diferencuar të pagave të punonjësve të sistemit të arsimit universitar.
Fondi i pagave
Për këtë qëllim, fondi i pagave për Ministrinë e Arsimit në vitin 2008 është parashikuar të rritet me 15%. Ndërkohë që, shpenzimet e tjera korrente janë parashikuar të rriten me 10% krahasuar me vitin 2007, duke u përqëndruar kryesisht në plotësimin e nevojave të shkollave me pajisjet e nevojshme mësimore e didaktike, bursat e nxënësve dhe studentëve etj. Ndërkohë që edhe për sektorin e shëndetësisë fondi total i pagave parashikohet të rritet me rreth 15% gjatë vitit 2008. Ndërsa, shpenzimet e tjera korente pësojnë një rritje prej 10%, duke u përqëndruar kryesisht në furnizimin me materiale mjekësore dhe medikamente të nevojshme për t i plotësuar më mirë nevojat e popullit me këtë shërbim bazë njerëzor.
Kontributet e Sigurimeve Shoqërore dhe Shëndetësore
Të ardhurat nga Sigurimet Shoqërore dhe Shëndetësore për vitin 2008 parashikohen të arrijnë në 51.1 miliardë lekë nga 42.8 miliardë lekë të planifikuara për vitin 2007. Rritja e këtyre të ardhurave do të jetë rrjedhojë e rritjes së numrit të kontribuesve, për shkak të rritjes ekonomike, formalizimit të tregut të punës dhe vendosjes së pagave referuese. Reforma për përcaktimin e pagës referuese mujore, për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetesore dhe tatimit mbi te ardhuruat personale, sipas nomenklaturës së veprimtarisë ekonomike për te punesuarit e sektorit jo-publik, gjykojmë se përbën një hap të rëndësishëm në luftën kundër informalitetit dhe evazionit fiskal dhe besojme se do të jetë një faktor cilësor për përmirësimin e performancës në mbledhjen e dy kategorive të të ardhurave, më problematikë që shfaqen në sistemin tatimor shqiptar: tatimin mbi të ardhurat personale dhe kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Kategorizimi i pagave do të shërbejë si një instrument i rëndësishëm në shmagien e skemës abuzive të nënraportimeve dhe deklarimeve fiktive të nivelit të pagave. Të ardhurat jo tatimore janë parashikuar të arrijnë në rreth 16.6 miliardë lekë ose me një ulje prej rreth 32 për qind kundrejt 2007, duke arritur në këtë mënyrë në rreth 1.54 për qind e PBB-së. Rritja e të ardhruave tatimore është bazur në trendin historik të të ardhurave nga institucionet buxhetore, nga parashikimi i nivelit të dividentit të paraqitur nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës si dhe parashikimi që ka dërguar Banka e Shqipërisë mbi transferimin e fitimit të saj.
Politika fiskale
Parashikimi i të ardhurave për vitin 2008 është bazuar edhe në ndryshimet në politikën fiskale që mund të përmblidhen si më poshtë: Përgjysmim i normës së tatimit të fitimit (nga 20% në 10%), që parashikohet të ketë impakt pozitiv në të ardhurat, pasi do të rritet baza e taksueshme si pasojë e rritjes ekonomike dhe përmirësimit administrativ e strukturor (rritja e PBB orientohet nga sektorët që paguajne tatim-fitimi). Gjithashtu, kjo masë fiskale parashikohet të ketë impakt pozitiv në ekonominë e vendit, pasi biznesi vendas do të inkurajohet të deklarojë shifra reale të bilanceve kontabël dhe klima do të jetë me atraktive për investimet, veçanërisht investimet e huaja direkte dhe indirekte. Një rritje e lehtë në akcizën e karburanteve me rreth 4 lekë/litër, të pijeve alkolike, verës dhe birrës, respektivisht, duke filluar nga 1 korriku 2007. 10 lekë/litri për birrën e diferencuar sipas sasisë së prodhimit, 15 lekë/litri për verën, verërat e gazuara, vermut dhe verëra të tjera me substanca aromatizuese, 50 lekë/litri për pijet alkolike me forcë alkolike ndaj volumit mbi 12%. 20 lekë/litri për pijet alkolike me forcë alkolike ndaj volumit deri në 12%.
Taksa e sheshtë
Aplikimi i taksës së sheshtë (10 %) mbi të ardhurat personale, duke filluar nga 1 korriku 2007, do të ketë një efekt pozitiv në të ardhurat. Aplikimi i taksës së sheshtë do të japë impakt pozitiv, veçanërisht në kategorinë e të punësuarve me të ardhura të larta, kategori e cila pas aplikimit të kësaj mase fiskale (pjesa e biznesit privat) mendohet se do të jetë plotësisht e motivuar për të deklaruar të ardhurat reale. Me këtë masë, eliminohet tatimi progresiv (duke lënë një prag përjashtues për shumën 10 mijë lekë për pagat deri në 30 mijë lekë) dhe shkallët e tatimit zëvendësohen me një të vetme dhe unike, 10 për qind, për të gjithë kategorite e pagave, duke thjeshtuar edhe procedurat e deklarimit dhe llogaritjes së këtij tatimi. Rritjen në nivelin e taksave nacionale, duke konsideruar një rritje të taksës së importit të automjeteve të përdoruara, reduktim të taksës së ditëqëndrimit të automjeteve të huaja, taksës konsullore si dhe atyre portuale, duke filluar nga 1 korriku 2007. Rritjen në nivelin e taksave vendore, respektivisht taksa e pasurisë për ndërtesat të cilat ndodhen në pronësi apo përdorim brenda territorreve të fshatrave turistike, duke filluar nga 1 korriku 2007. Uljen në taksat doganore, si pasojë e bërjes zero të taksës doganore për automjetet, duke filluar nga 1 korriku 2007, si edhe uljen e taksave doganore si pasojë e zbatimit të MSA-së, CEFTA-s dhe MTL-së me Turqinë.

TABELE
PROJEKTBUXHETI 2008

Totali i të ardhurave 25.5025.8426.91 26.37

Totali i shpenzimeve 28.77 30.61 31.53 34.32

Deficiti buxhetor -3.26 -4.77 4.63 7.95

Të ardhurat e buxhetit 283,7 miliardë lekë

Të ardhurat tatimore 262.4 miliardë lekë

Të ardhurat nga tatimet 195.7 miliardë lekë

Të ardhurat nga TVSH 99.9 miliardë lekë

SHPENZIMET
Shpenzimet korrente rriten me rreth 7.2 për qind, kundrejt një viti më parë. Një pjesë e kësaj rritjeje i dedikohet rritjes së interesave me rreth 18.3 për qind, respektivisht interesat e brendshme parashikohet të rriten me 17.2 për qind dhe interesat e huaja rriten me 26.5 për qind

KONTIGJENCA
Projektbuxheti 2008 do të vazhdojë të ketë të planifikuara fonde kontigjence, të cilat do të mbështesin skenare të lidhur me performancën e të ardhurave si dhe risqet për buxhetin. Këta skenare janë përgatitur me FMN-në dhe do të mbeshtesin kryesisht sektorët prioritarë arsim, shëndetësi dhe infrastrukturë

INVESTIMET
Në projektbuxhetin e vitit 2008 janë parashikuar 106 miliardë lekë investime publike, nga të cilat 39 miliardë lekë me financim të brendshëm dhe 67 miliardë me financim të huaj. Shpërndarja e tyre është bazuar në kërkesat e ministrive, si dhe në kritere të cilat garantojnë përzgjedhjen e projekteve
Ky lajm është publikuar: 16/10/2007

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›