Sensibilizim në ditën ndërkombëtare të “shkopit të bardhë”
Autori i Lajmit: Red.Në ditën ndërkombëtare të “shkopit të bardhë”, shoqata e të verbërve në qytetin e Elbasanit, ka organizuar një aktivitet sensibilizues kushtuar ditës simbol të kësaj kategorie njerëzish fatkeqë. Për të pestin vit me radhë, nga ana e shoqatës së të verbërve të Elbasanit, është demonstruar ecja me shkopin e bardhë “simbolin e verbërisë” në rrugët kryesore të këtij qyteti. Demonstrimi ka startuar në sheshin para hyrjes kryesore të bashkisë së Elbasanit dhe ka vazhduar në një nga rrugët automobilistike që e lidh institucionin e pushtetit vendor me qendrën e qytetit. Kalimi përgjatë rrugës automobilistike është bërë me qëllim sensibilizimin e drejtuesve të automjeteve, për të respektuar qarkullimin e të verbërve dhe për të ndikuar te ata që të respektojnë të drejtat e tyre sikundër në të gjitha vendet e zhvilluara. Dita e “shkopit të bardhë” ka treguar se në Elbasan, si në të gjithë Shqipërinë, janë shënuar arritje në respektimin e të drejtave të personave të verbër dhe me shikim të pjesshëm. Kryetari i shoqatës së të verbërve të Elbasanit, Gazmend Karakyzja, e ka vlerësuar si të suksesshëm aktivitetin e zhvilluar sot dhe i ka bërë thirrje shoqërisë “të gjithë të bëjnë aq sa munden për personat e verbër dhe me shikim të pjesshëm, pasi edhe ata janë të vlefshëm për të kontribuar në shoqërinë e sotme, pasi realiteti tregon se ka të verbër që ndjekin universitetet e të tjerë që punojnë, gjë që flet shumë”.
Ky lajm është publikuar: 16/10/2007