Rriten akcizat, shtrenjtohen cigarja, kafja dhe alkooli
TIRANË- Nëse një paketë cigare kushton mesatarisht 150 lekë, nga të cilat 40 lekë i shkojnë direkt shtetit, në një të ardhme shumë të afërt do t'ju duhet të paguani më shumë.
Me ndryshimet e miratuara së fundmi të ligjit për akcizat, nga Komisioni Parlamentar i Ekonomisë, mallra si kafe, cigare dhe pije alkoolike do t'i kushtojnë më shtrenjtë konsumatorit shqiptar. Përfshi edhe karburantet, këto janë mallrat që kanë akcizë të fortë nga të cilat shteti përfiton sasi të konsiderueshme të ardhurash nga vjelja e saj.
Kjo nismë tregon edhe një herë mungesën e parave në arkën e qeverisë dhe nevojën e menjëhershme për të bërë para. Rritja prek menjëherë të gjithë konsumatorët shqiptarë dhe ka nisur të ndihet tek cigaret. Çmimi i këtij malli të konsumit të lartë ka pësuar një rritje të lehtë gjatë këtyre ditëve.
Në kuadër të këtyre ndryshimeve, rritjen më të fortë e kanë pësuar pijet alkoolike me rreth 50 për qind. Sipas shtojcës së këtij projektligji, rritja për pijet alkoolike është e ndarë në dy grupe.
Për produkte me sasi alkooli më të lartë se 12 për qind e volumit, rritja është me 70 deri në 100 lekë në varësi të sasisë së importuar. Në këtë kategori bëjnë pjesë 80% e verërave dhe të gjitha pijet e tjera alkoolike të forta.
Ndërsa, për ato produkte me sasi alkooli nën 12 për qind të volumit ku pjesa dërrmuese përbëhet nga birrat, kanë pësuar një rritje me 30 lekë për litër. Pra, nëse me parë për çdo litër birrë një konsumator i paguante shtetit 70 lekë, pas miratimit në parlament të këtij projektligji do t'i duhet të paguajë 100 lekë.
Për sa i përket kafesë, edhe ajo i është nënshtruar një rritjeje prej rreth 40 për qindësh sipas llojit, e pjekur ose jo. Kështu, për çdo kilogram kafe të papjekur, nëse më parë shteti përfitonte 50 lekë, tashmë do të marrë 70 lekë.
Përafërsisht në të njëjtin raport është rritur edhe çmimi i kafesë së pjekur. Nga 100 lekë për kilogram që ishte më parë, me ndryshimet e bëra akciza e saj rritet edhe me 40 lekë të tjera.
Nëse hyn në një shitore për të blerë një paketë cigare me çmim 150 lekë, një shishe verë një litërshe, çmimi i së cilës mund të jetë 500 lekë dhe një pako kafe me çmim mesatar 150 lekë, nëse në total paguan 800 lekë, nga këto rreth 360 lekë i paguhen shtetit.
Në raport me numrin e popullsisë Shqiptarët renditen në vendet e para në botë për konsumin e duhanit. Kjo rritje e mëtejshme e çmimit të cigareve duket do t'i "kruajë" mirë xhepat e tyre, pasi për çdo paketë të blerë do t'iu duhet të paguajnë minimumi dhjetë lekë më shumë, për të mos llogaritur këtu edhe fitimin që do të kenë tregtarët.
Rritje kanë pësuar edhe produkte të tjera me bazë duhanin, por që është e pakrahasueshme me atë të cigareve. Në fakt, edhe pse këto ndryshime nuk janë miratuar dhe hyrë në fuqi, gjatë ditëve të fundit në treg është vënë re një rritje e ndjeshme e çmimeve për marka të ndryshme cigaresh, të cilën tregtarët e kanë justifikuar me sasinë e ulët të tyre në treg.
Kësaj rritjeje të fortë të akcizës duke i bërë më të shtrenjtë këto mallra për konsumatorin vendas pritet t'i shtohet edhe zhvlerësimi i lekut. Me zhvillimet më të fundit në kursin e këmbimit, një zhvlerësim i monedhës vendase dhe rritje e akcizës së disa mallrave do të ishte kombinimi më i keq që rëndon në xhepat e qytetarëve.
Me një lek të dobët ndaj euros, një importuesi i duhet të paguajë më shumë se herë tjetër për të blerë një mall, koston e së cilës sigurisht që do ta transmetojë tek konsumatori.