E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni i Ekonomisë miraton nen për nen buxhetin

Nga rishikimi i buxhetit të vitit 2009 do të akordohen për investime publike edhe rreth 17 miliardë lekë më shumë se parashikimi në fillim të vitit 2009, ose në përqindje të Prodhimit të Brendshëm Bruto, investimet shkojnë nga 32.3 % në 34.5 % të PBB-së, duke përmirësuar e fuqizuar stabilitetin financiar të vendit. Rishikimi buxheti konsiston në rishpërndarje, pra marrje të fondeve nga projektet apo ministritë, ku ato nuk janë shpenzuar.

Projekti për rishikimin e buxhetit 2009 reflekton përdorimin e të ardhurave nga privatizimi i ARMO-s, në masën neto prej 9.790 milionë lekë të papërdorur nga viti i kaluar sipas formulës 50 % ulje të huamarrjes së brendshme dhe 50 % rritjes së investimeve, të ardhurave nga privatizimi strategjik i OSSH sha-së, prej 11.700 milionë lekë sipas formulës 50 % për ulje të stokut të brendshëm dhe 50 % rritje investimesh, si dhe të atyre nga shitja e aksioneve të AMC prej 5.440 milionë lekë për rritjen e investimeve.

Përmes kursimeve të shpenzimeve korrente prej 1.327 milionë lekë dhe të shpenzimeve kapitale prej 6.418 milionë lekë do të arrihet edhe mbulimi i mosrealizimit të të ardhurave në masën prej 7.706 milionë lekë. Në këtë ndryshim të buxhetit parashikohet rritja e shpenzimeve kapitale me burime të brendshme në infrastrukturë me rreth 12.4 miliardë lekë dhe të shpenzimeve korrente me 1.7 miliardë lekë, krahasuar me buxhetin fillestar të vitit 2009, ku 1.2 miliardë lekë e zë rritja e kompensimit të ish-përndjekurve politikë.

Në buxhetin e rishikuar të vitit 2009 shpenzimet e përgjithshme parashikohen në masën 401.907 milionë lekë me një rritje prej rreth 4 %, krahasuar me buxhetin fillestar të vitit 2009, ose në shumë absolute rreth 17.073 milionë lekë më shumë. Shpenzimet janë parashikuar të përfaqësojnë rreth 34.2 % të PBB-së.  

Gjithashtu janë parashikuar 100.556 milionë lekë për investime publike, me një rritje prej 10.120 milionë lekë kundrejt buxhetit fillestar, ose 8.55 % e PBB-së, nga të cilat 81 milionë lekë me financim të brendshëm dhe 19.556 me financim të huaj. Deficiti buxhetor në buxhetin e rishikuar rezulton në masën 74.790 milionë lekë, ose 6.4 % e PBB-së.

Ky rishikim i buxhetit sjell edhe rritjen e fondit rezervë dhe kontigjencës në masën 221 milionë lekë, duke bërë që ky zë të kapë nivelin 15.921 milionë lekë, ose 1.35 % e PBB-së. Ndërkohë është parashikuar një nivel i huamarrjes së brendshme në masën 40.424 milionë lekë ose 3.4 % e PBB-së.

Ndryshimet në buxhetin e vitit 2009 u miratuan vetëm me votat e maxhorancës, pasi opozita vijon të mos marrë pjesë në punimet e Parlamentit. Një ditë më parë Parlamenti miratoi në parim këto ndryshime.

                                                                                             

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›