Kredia 200 milion vijojne bisedimet mes Bankes Boterore dhe qeverise shqiptare
Bisedimet me ekspertët e Bankës Botërore me qeverinë shqiptare vijojnë. Këto bisedime përqëndrohen në përcaktimin e përmasave e reformave, që do të mbështeten me financimet e Bankës. Burime pranë Ministrisë Financave bëjnë me dije se nuk ka ende një vendimarrje nga qeveria mbi kredinë e pritshme, që kjo bankë ka ofruar. Në fakt, të njëjtat burime bëjnë me dije se kredia, që mendohet se e kalon vlerën e 200 milionë dollarëve, nuk është e nevojshme dhe nuk ka ardhur si kërkesë nga qeveria shqiptare, por si një ofertë e Bankës Botërore. Bëhet fjalë për një fond, që banka e ofron si pjesë të paketës së ndihmës, që ajo jep për vendet e Evropës Juglindre, për të përballuar goditjet e krizës. Por, autoritetet shqiptare financiare kanë pohuar se janë parashikuar të gjitha instrumentetet financiare për të patur stabilitet ekonomik gjatë kësaj periudhe dhe kjo kredi do të ishte një fond shtesë. Përmes një deklarate për mediat, Banka Botërore deklaroi pak kohë më parë, se është angazhuar tashmë me qeverinë shqiptare në përgatitjen e një kredie, fonde që mund të përdoren si financime shtesë për të forcuar reformat ekonomike. Sipas bankës, qeveria e shqiptare do të jetë në gjendje të përdorë mbështetjen shtesë nga Banka Botërore për të ruajtur stabilitetin fiskal dhe makroekonimik për vazhdimin e rritjes ekonomike dhe krijimin e vendeve të reja të punës.