Rriten çmimet e shitjes së apartamenteve, bien qiratë
Rriten çmimet e shitjes së apartamenteve. E kundërta ka ndodhur me çmimet e qirasë, të cilat kanë pësuar rënie. Sipas të dhënave më të fundit nga Banka e Shqipërisë, indeksi i çmimit të banesave (IÇB) pësoi një rritje me 18 për qind në tremujorin e tretë të vitit 2009, krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë. Sipas BSH-së, kjo ecuri konfirmoi pikën e kthesës drejt rritjes graduale, të nisur që prej tremujorit të parë të vitit 2009. “Të dhënat nga vrojtimet e besimit të bizneseve të ndërtimit tregojnë për një prirje në rënie të çmimeve të prodhimit, e cila nuk është reflektuar në çmimet e transaksioneve gjatë shitblerjes në dy tremujorët e fundit. Rritja vjetore e çmimit të banesave, duke përjashtuar efektin e nënçmimit vjetor të lekut ndaj euros, do të rezultonte vetëm 10 për qind (18 për qind me këtë efekt). Bazuar në të dhëna të tërthorta, gjykohet se zhvillimet në çmimet e banesave do të ndikohen si nga rritja e pritur e ofertës, e shprehur në vlerësime më pozitive të prodhimit në ndërtim, ashtu edhe nga një rënie e inventarëve të bizneseve të ndërtimit gjatë dy tremujorëve të fundit”, thuhet në raportin e BSH-së. Ndërsa për sa i përket indeksit të qirasë së banesave në tremujorin e tretë të vitit ra me rreth 4.5 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë. Në krahasim me tremujorin e mëparshëm, indeksi i qirasë paraqitet në pothuaj të njëjtin nivel.