E Shtunë, 31 Tetor 2026

Furtunë në Elbasan, arrest për 3 policë të qarkullimit

 

ELBASAN/ ALDO KOZARIA

Furtunë sërish në Elbasan, këtë herë në radhët e uniformave blu. Tre punonjës të Policisë Rrugore rezultuan të përfshirë në skandalin e ryshfeteve, një prej të cilëve u arrestua, ndërsa dy të tjerë janë në kërkim. Hetimet intensive ndaj tre punonjësve të qarkullimit rrugor kishin rreth 5 muaj që kishin nisur nga ana e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, për t'u finalizuar me lëshimin e fletë-arresteve. Policët e akuzuar për marrje ryshfeti janë: Elmaz Muça, Fatmir Kryeziu, Endi Elezi. Sipas burimeve zyrtare nga zyra e SHKB-së, mësohet se tre punonjësit e qarkullimit kishin më shumë se 1 javë që ishin pezulluar nga detyra, pasi ishin persona të dyshuar se kishin kryer veprën penale të korrupsionit pasiv. Madje, ndaj tyre, Gjykata e Elbasanit ka vendosur dy ditë më parë masën e arrestit me burg. Por në momentin kur kolegët e tyre kanë nisur të zbatojnë urdhrin kanë vënë në pranga vetëm Elmaz Muçën, ndërsa të tjerët nuk janë gjetur. Mësohet se ndaj këtyre policëve, të cilët kryenin patrulla në akse të ndryshme të Elbasanit, ka pasur më shumë se shtatë denoncime, të cilat janë bërë nga ana e qytetarëve. Në denoncimet e tyre ata janë shprehur se kishin paguar ryshfet te policët, pasi i kishin ndaluar në rrugë për arsye të ndryshme. Duke e cilësuar të padrejtë ndalimin dhe të detyruar për të paguar para për të vazhduar udhëtimin, qytetarët kanë denoncuar me emra konkretë policët. Gjithashtu, të njëjtat burime kanë pohuar se për të akuzuar tre punonjësit e policisë së Elbasanit ka prova të mjaftueshme e të pakontestueshme, që vërteton marrjen e ryshfeteve nga ana e tyre. Të tre punonjësve të qarkullimit rrugor në Elbasan prej më shumë se 5 muajsh u ishin vënë telefonat në përgjim, ndërsa pohohet se janë filmuar në momentet e marrjes së parave nga drejtuesit e mjeteve. Ata punonin kryesisht në akset kombëtare ku dhe trafiku i mjeteve është shumë herë më i madh se në qytet, ndaj dhe mundësia për të përfituar ka qenë më e madhe. Shumat e përfituara pohohet nga burimet zyrtare të policisë arrinin nga 5 mijë deri në 50 mijë lekë. Pas arrestimit të Muçës, policia ka shpallur në kërkim dy të tjerët, Kryeziun dhe Elezin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›