E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rriten çmimet e ushqimeve, inflacioni arrin në 3.6%

Nga Rajmonda Lajthia

Tiranë, 8 shkurt, NOA 2010-a duket se nuk do
të jetë një vit i mbarë për ata qytetarë të cilët kanë të ardhura të
kufizuara për të bërë një jetë normale. Por ai do të jetë i vështirë edhe për
ata që duan të kursejnë sadopak nga rrogat e tyre. Kjo pasi të gjitha çmimet e
produkteve ushqimore kanë shënuar një rritje galopante gjatë muajit janar dhe
kjo tendencë do të vijojë edhe në muajt në vazhdim. Instituti i Statistikave ka konstatuar se inflacioni
në këtë fillimviti ka arritur në nivelin 3.6 %, shumë pranë limitit 4 %, të
lejuar nga Banka e Shqipërisë.

Sipas përfaqësues së INSTAT, Hazbie Bunguri,
grupi i ushqimeve dhe i pijeve alkoolike shënuan një rritje prej 1.3 %, ku
brenda këtij grupi, rritjen më të madhe e shënuan nëngrupi i zarzavateve,
përfshirë dhe patatet, por rritje kanë pësuar edhe çmimet e duhanit dhe
karburanteve.

E thënë në vlerë absolute, çmimet kanë shënuar
rritje nga 20 lekë për produktet ushqimore, deri në mbi 100 lekë për
zarzavatet.

Qytetarët ankohen se me këto çmime menuja e
tyre e tavolinës do të reduktohet ndjeshëm.

Sipas Asime Kolonjës, qytetare e Tiranës, një
kg spinaq ka arritur në 200 lekë, një çmim ky i papranueshëm për këtë sezon.

Ndërkohë që edhe perimet e tjera si preshi,
apo ushqimet e importit si sheqeri, orizi apo vaji janë rritur.   

Çfarë parashikohet të ndodhë është se në
muajin shkurt inflacioni do të vijojë të rritet për shkak edhe të reflektimit
të tarifave të reja të energjisë elektrike, pasi fatura e konsumit të janarit
reflektohet në muajin pasardhës.  

Nëse kësaj situate do ti shtohen edhe pagesat
që kryejnë qytetarët e pasiguruar për shërbimet spitalore, të cilat nuk janë të
përfshira, atëherë norma e inflacionit do të ishte dhe më e lartë.

Ndikim në këtë situatë ka dhënë forcimi i Euros
dhe çmimet e larta të importit, por edhe mungesa e prodhimit vendas.

Tendenca e rritjes së inflacionit ka nisur që
në muajin dhjetor,  kohë e cila njihet si një periudhë që çmimet rriten në
mënyrë artificiale, për shkak  të festave të fundvitit.

r.l/n.e/NOA

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›