E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hajdari: Bashkëpunova me Agjencinë

Që nga janari i këtij viti, drejtori i Prokurimit në Zyrën e kryeministrit thotë se ka hequr dorë nga një firmë në të cilën ka qenë bashkëpronar. Ai thotë ta ketë bërë këtë pas udhëzimeve që ka marrë nga Agjencia Kundër Korrupsionit. E, sipas zyrtarëve të Qeverisë, kjo firmë asnjëherë nuk ka fituar ndonjë tender në Qeveri ose në ndonjë ministri.

Një ditë më vonë ka reaguar drejtori i Prokurimit në Zyrën e kryeministrit Isa Hajdari, duke treguar në detaje bashkëpunimin e tij me zyrtarët e Agjencisë Kundër Korrupsionit.
Hajdari i ka thënë gazetës se që në shkresën e parë të marrë në gusht të vitit 2009 nga AKK-ja, ka qenë vetë ai që ka kontaktuar zyrtarët e Agjencisë për t`i pyetur ata me hapat që duhet të marrë Hajdari për heqjen dorë nga një firmë në të cilën ka qenë bashkëpronar.

Drejtori i AKK-së, Hasan Preteni ka thënë se drejtori i Prokurimit në Zyrën e kryeministrit Hashim Thaçi është në konflikt interesi me pozitën që ka për shkak se ai është bashkëpronar në një firmë ndërtimi.

Mirëpo, Isa Hajdari ka rrëfyer se qysh në gusht ai ka kërkuar nga AKK-ja që t`i tregojnë mënyrat se çfarë duhet të bëjë ai në këtë rast.

“Në momentin që është njoftuar z. Hajdari me procedurën e AKK-së, ai ka ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm në kompaninë në fjalë. Kjo ka ardhur si pasojë e Ligjit antikorrupsion dhe hyrjes në fuqi të Ligjit për parandalim të konfliktit të interesat. Z. Hajdari e ka bërë një gjë të tillë”, thotë zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Memli Krasniqi.

Krasniqi ka thënë se drejtori i Prokurimit asnjëherë nuk është kontaktuar në mënyrë direkte nga zyrtarët e Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Por zyrtarë të Agjencisë Kundër Korrupsionit thonë se disa i kanë dërguar shkresa zyrtare drejtorit të Prokurimit në Zyrën e kryeministrit.

“Së paku tri ose katër shkresa janë drejtuar në adresë të këtij zyrtari qeveritar”, thotë një zyrtar i AKK-së.

Isa Hajdari deri në janar të këtij viti ka qenë bashkëpronar në një firmë ndërtimi, por që pas kësaj date, sipas Memli Krasniqit, ai nuk është më as bashkëpronar, e as kontabilist në atë firmë.

“Në momentin që shkresa e parë ka arritur në emër të Isa Hajdarit, ai e ka kontaktuar zyrtarin e AKK-së dhe ka filluar procedurat në MTI deri në përfundimin e tyre, duke hequr kështu dorë nga pozita si bashkëpronar“, thotë Memli Krasniqi.

Zëdhënësi i Qeverisë ka thënë se firma në të cilën dikur ka qenë bashkëpronar drejtori i Prokurimit, nuk ka ofruar ndonjë shërbim për Zyrën e kryeministrit, e as të ndonjë institucioni tjetër publik në vend.

“Kompania kurrë në asnjë rast nuk i ka ofruar asnjë lloj shërbimi Zyrës së Kryeministrit, e as ndonjë institucioni tjetër publik”, thotë ai.

Krasniqi ka pranuar se edhe disa shkresa i janë drejtuar drejtorit të Prokurimit nga AKK-ja, por që ai ka fajësuar administratën e Zyrës së kryeministrit, e cila asnjëherë nuk ia ka dorëzuar Hajdarit këto shkresa.

Zyrtarë të AKK-së, përveç rastit Hajdari, kanë thënë se ai nuk ka bashkëpunuar as për disa raste të tjera në Qeveri, për zyrtarë të saj për konflikt interesi.

Memli Krasniqi ka thënë se për këtë AKK-ja nuk ka përmendur ndonjë emër. “Nuk ka ndonjë emër të caktuar të zyrtarëve të Qeverisë, është vështirë të komentoj ose paragjykoj. Le të paraqiten fakte dhe më pas do të zgjidhet çdo gjë”, thotë ai.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›