Rriten depozitat, bankat i rikthehen kredisë në euro
Bankat i rikthehen kredisë në euro. Statistikat e fundit të Bankës së Shqipërisë, tregojnë për një rritje të ndjeshme të kreditimit në euro të ekonomisë shqiptare dhe një rënie të ndjeshme të kredisë në lekë. Nga ana tjetër, depozitat, po rikthehen në sitet me ritme të larta në të dy monedhat. Duket se bankat, për shkak edhe të kursit të këmbimit, po i rikthehen edhe një herë politikës së vjetër të kreditimit në euro. Një politikë e kritikuar kjo nga Banka e Shqipërisë.
Depozitat
Shqiptarët, kjo edhe për shkak të normave të larta të interesit, i janë rikthyer bankave për të depozituar paratë e tyre. Shifra e depozitave të reja 12 mujore, (që janë edhe depozitat më të shpeshta në bankat e nivelit të dytë) për muajin janar arritën në 22 miliardë lekë. Kjo është shifra më e lartë e depozitimit mujor që nga janari i vitit të kaluar. Shifër që tregon besimin e qytetarëve ndaj bankave të nivelit të dytë. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me depozitat 12 mujore në euro. Gjatë janarit janë depozituar 65 milionë euro. Kjo shifër thyen rekordet e 12 muajve të fundit, duke përjashtuar gushtin, kur për shkak të emigrantëve depozitat në sistemin bankar vetëm për një muaj u shtuan me 138 milionë euro. E njëjta gjë ka ndodhur edhe për llojet e tjera të depozitave, qoftë këto në lekë apo euro, përjashto llogaritë rrjedhëse, që duket se janë tkurrur në të dy monedhat gjatë janarit. Ky vit, sipas statistikave të bankës së Shqipërisë, duket si një vit i artë për bankat.
Kreditë
Po të shikosh statistikat e bankës, në janar, janë më pak kredi në lekë se sa në dhjetor. Shifrat tregojnë për një ulje të ndjeshme të kredisë afatgjatë, mbi 5 vjet, që është kredia për shtëpi. Për herë të parë gjatë 12 muajve të fundit kredia afatgjatë është ulur nën 1 miliardë lekë. Në janar bankat dhanë 957 milionë lekë kredi afatgjatë, ndërkohë që gjatë gjithë vitit të kaluar kjo shifër ka qenë mbi 1 miliardë lekë. E kundërta ka ndodhur me euron. Bankat kanë dhënë më shumë kredi në euro, duket edhe nga norma e lartë e këmbimit të euros me lekun. Janari i këtij viti kap shifrën e 21 milionë euro të dhëna për kredi afatgjatë, shifra më e lartë e dhënë që nga janari i vitit 2009. Në total, duket se janari ka qenë pozitiv për kredi-dhënien në euro. Në janar janë dhënë gjithsej 110 milionë euro kredi, një shifër kjo sa dyfishi i mesatares së vitit të kaluar.