Kuzhe stërvit vetëm “Superligën”
Ka filluar dje grumbullimi i Ekipit Kombëtar për përgatitjen e ndeshjes miqësore të 3 marsit Shqipëri-Irlandë e Veriut. Trajneri Kuzhe ka pasur si fillim në dispozicion vetëm futbollistët që luajnë në kampionatin vendas: Vila, Bakaj, Muzaka, Lila si dhe Ervin Bulku, i cili ka prishur tashmë kontratën e tij me Krivbas (Ukrainë) dhe aktualisht stërvitet te Tirana, por nuk është federuar si futbollist i kësaj skuadre për pjesën e mbetur të sezonit. Stërvitja e djeshme ka qenë përgjithësisht individuale dhe është zhvilluar në aneksin e ri me bar artificial të stadiumit “Niko Dovana”, në Durrës. Ndërsa sot pritet që skuadrës t’i afrohen edhe lojtarët e tjerë të grumbulluar për këtë takim, të cilët kanë luajtur deri dje sfidat e ndryshme në kampionatet evropiane ku militojnë. Seanca e radhës stërvitore do të zhvillohet sot në orën 10:00 paradite dhe 16:00, pasdite. Ndërsa Kuzhe ka programuar edhe një seancë tjetër stërvitore për ditën e nesërme në orën 16:00 dhe pasnesër në stadiumin “Qemal Stafa” do të zhvillohet takimi miqësor me irlandezo-veriorët.