Barazon Cana, humbet Salihi, Lala, Bogdani,Curri e Dallku
Ditë e “zezë” dje për futbollistët shqiptarë që luajnë në kampionate të ndryshme të Evropës. Thuajse që të gjithë kanë humbur me përjashtim të Canës dhe Bogdanit.
Lorik Cana – Sunderlandi nuk mundi të largojë krizën edhe në përballjen shtëpiake ndaj Fulhamit. “Macet e zeza” kanë marrë një barazim të thatë pa gola megjithëse rrezikuan disa herë portën e miqve. Kapiteni Lorik Cana luajti si titullar përgjatë gjithë lojës.
Erjon Bogdani – Sulmuesi shqiptar ka “ngrohur” sërish pankinën duke mos u aktivizuar për ansjë sekondë në sfidën e djeshme në “Bentegodi” mes Kievos dhe Kaljarit. Megjithatë ai mund t’i kënaqet fitores së skuadrës së tij (2-1) e cila erdhi nga këmbët e dy rivalëve të tij në skuadër, sulmuesit De Paula dhe Granoçe.
Altin Lala – Hanoveri, në pikiatë të vërtetë. Edhe pse luajti dje për 90-të minuta mesfushori energjik shqiptar nuk arriti të shpëtojë skuadrën e tij nga humbja e radhës. Këtë herë ishte Volfsburgu, skuadra që i mori tri pikë Hanoverit në shtëpinë e saj.
Besart Berisha - Arminia Bielefeldi fiton 1-0 në fushën e St. Paulit, por Berisha nuk duket as në stolin e skuadrës së tij. Sulmuesi kosovar i Kombëtares shqiptare po kalon një gjendje mjaft të vështirë aq sa bëri që Kuzhe të mos ta grumbullonte as për ndeshjen miqësore ndaj Irlandës së Veriut.
Hamdi Salihi – Humbje edhe për Rapidin e Vjenës së Hamdi Salihit. Këtë herë kanë qenë ravalët kryesorë në kampionat, Salzburg që i ka marrë tri pikë në shtëpi Rapidit. Shkodrani luajti si zëvendësues dhe u fut në lojë vetëm në minutën e 62-të në vend të Rene Gartler.
Curri-Dallku – E kanë nisur me humbje fazën e dytë në Ukrainë edhe Vorskla Potlava e Debatik Currit dhe Armend Dallkut. Gjithsesi dy mbrojtësit shqiptarë luajtën si titullarë dhe për më tepër u përballën me një nga skuadrat më të mira në Ukrainë, Shakhtar Donetsk (1-0), në fushën e këtij të fundit.