E Diel, 1 Nëntor 2026

PS, të enjten përsëri në Parlament



Aristir Lumezi

Grupi i deputetëve socialistë pritet të jetë në sallën e Kuvendit ditën e enjte. Sot në selinë rozë do të vendoset strategjia që deputetët socialistë do të ndjekin në raport me Parlamentin. Burime pranë partisë socialiste pohuan dje se deputetët e saj do të shkojnë në seancën e së enjtes, duke qartësuar maxhorancën se e vetmja lidhje e tyre me parlamentin aktual është hetimi i zgjedhjeve. Sipas tyre, ata nuk mund të shkojnë në parlament për asnjë çështje tjetër, përveç transparencës. Mësohet se sot do të mblidhen për këtë çështje në selinë rozë sekretariati, një takim i përjavshëm i Ramës me sekretarët, por dhe i një pjese të deputetëve të kryesisë me të cilët do të vendoset dhe mbledhja e ardhshme e grupit të deputetëve i cili do të bëjë dhe zgjedhjen e drejtuesve të tij. Kur kanë kaluar vetëm katër ditë nga depozitimi në Kuvend i projektligjit që sanksionon hetimin e pakufizuar të komisionit hetimor parlamentar, socialistët nuk kanë marrë asnjë sinjal nga maxhoranca rreth këtij propozimi, propozim të cilin ata e kanë cilësuar si oferta për zgjidhjen e krizës. Nga ana e tyre, ata e kanë quajtur zvarritje të zgjidhjes së krizës mungesën e reagimit zyrtar të maxhorancës, ndërsa kanë përsëritur se nuk do të merren me asnjë çështje tjetër parlamentare nëse nuk i hapet rrugë ngritjes së komisionit hetimor siç e përcaktojnë në projektligjin e tyre. Në këtë situatë, kur nuk ka ende një reagim nga maxhoranca, socialistët pritet të jenë në seancën e së enjtes, për t’i thënë opinionit të brendshëm dhe atij ndërkombëtar se janë të interesuar për zgjidhjen e ngërçit brenda parlamentit, ndërsa nuk i shmangen vajtjes në parlament nëse diskutohet vetëm për çështjen e hetimit të zgjedhjeve. çdo çështje tjetër parlamentare për ta është dytësore. Ndërkombëtarët e kanë pritur pozitivisht hyrjen e deputetëve të PS në parlament dhe kanë kërkuar që ky veprim të pasohet nga veprime të përbashkëta maxhorancë-opozitë për të gjetur zgjidhjen e krizës e cila mund të kërkojë dhe hetimin e plotë të zgjedhjeve. Kreu i delegacionit të KiE-së Mevlut çavusoglu, në deklaratën e tij në Tiranë, i kërkoi opozitës të hyjë në parlament, por jo vetëm për një ditë. Por vajtja në parlament e deputetëve socialistë do t’i jepte fund edhe akuzave në adresë të lidershipit të PS, se hyrja e tyre në seancën e kaluar të 25 shkurtit, u bë vetëm për të shmangur “djegien” e mandateve të tyre dhe jo si një ofertë reale për arritjen e një kompromisi dhe gjetjen e rrugës së zgjidhjes së ngërçit politik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›