E Shtunë, 31 Tetor 2026

11 kartonë e 1 gol, në Korçë fiton Skënderbeu



Leonard Karaj

Skënderbeu ka mundur 1-0 Shkumbinin në ndeshjen e prapambetur të javës së 22-të të Kategorisë Superiore, takim që mbylli edhe 11 javët e fazës së dytë e përcaktoi përfundimisht kalendarin e fazës së tretë.Golin e vetëm të takimit e shënoi blerja dimërore e Skënderbeut, Robert Grizha në minutën e 4-t, në një takim ku të dyja skuadrat e mbyllën me nga dhjetë lojtarë pas ndëshkimit me kartonë të kuq të Klevis Roshit të Skënderbeut dhe Ahmed Mujdragiçit të Shkumbinit. Mes dy futbollistëve ka pasur një përplasje që përfundoi në ofendime, çka detyroi arbitrin që t’i ndëshkonte që të dy me kartonin e kuq. Veç tyre gjyqtari i takimit Artan Taullaraj nxorri edhe 9 kartonë të verdhë, përkatësisht shtatë për vendasit dhe dy për miqtë. Ndërkohë për t’u theksuar ka qenë fakti se peqinasit iu afruan disa herë golit të barazimit, madje goditën edhe shtyllën por pa mundur që të çonin topin në rrjetë. Me fitoren e djeshme, Skënderbeu u ngjit në kuotën e 21 pikëve, me dy më shumë se Gramozi i vendit të fundit të Superligës, 19 pikë, dhe dy pikë më pak se Kastrioti i vendit të 10-të (zona play-off). Në javën e parë të fazës së tretë korçarët do të luajnë në Kavajë kundër Besës së vendit të dytë, ndërkohë që Shkumbini do të luajë kundër Vllaznisë. Kjo fazë do të startojë këtë fundjavë sipas kalendarit të pacaktuar që në fillim të sezonit nga sektori i garave në Federatën Shqiptare të Futbollit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›