Beqja: Po thellohet kriza në vend. Qeveria gënjeshtare
Partia Socialiste akuzoi dje qeverinë si të paaftë. Deputeti socialist Ilir Beqja, tha se sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë po thellohet kriza ekonomike në vend. “Për shkak të ‘ngadalësimit të mëtejshëm të kërkesës së brendshme gjatë tremujorit të katërt të vitit 2009, kushteve të shtrënguara të kreditimit, normës së ulët të shfrytëzimit të kapaciteteve dhe nivelit të ulët të besimit të bizneseve’, Banka e Shqipërisë konfirmon dobësimin e ekonomisë shqiptare. Kësisoj përmes pohimit të vetë guvernatorit të bankës qendrore, zhduket çdo lloj mëdyshje, se ashtu siç e kemi paralajmëruar prej kohësh qeverinë e Sali Berishës, Shqipëria ndodhet në një krizë të rëndë ekonomike”, u shpreh Beqja. Nisur nga të dhënat e paraqitura nga Banka e Shqipërisë Beqja shprehet se planifikimi dhe administrimi i dobët i financave publike gjatë vitit të kaluar jo vetëm që nuk ka ndihmuar për lehtësimin e këtyre pasojave mbi ekonominë vendase, por, duke cituar Bankën e Shqipërisë, “duke përshpejtuar shpenzimet buxhetore me një rritje prej 8 për qind dhe ngadalësuar mbledhjen e të ardhurave fiskale”, kjo qeveri gënjeshtare, e paaftë dhe pa vizion, po varfëron edhe me tej të ardhmen ekonomike të shqiptarëve. PS shprehet se nëpërmjet rritjes së tepruar të borxheve, Qeveria po gllabëron edhe ato pak burime kapitali në këto kohë të vështira duke i lënë sipërmarrësve dhe familjeve shumë pak para të disponueshme për kapërcimin e këtij ngërçi.