E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rriten interesat e kredive në tetor

Të gjithë ata që kanë marrë kredi në bankat e nivelit të dytë në Shqipëri do të paguajnë më shtrenjtë shlyerjen e saj. Tani kësti mujor është më i lartë. Banka e Shqipërisë raporton se bankat e nivelit të dytë kanë rritur interesat e kredive në muajin tetor. Këshilli Mbikëqyrës në mbledhjen e tij të radhës dha vlerësime për aktivitetin ekonomik dhe atë financiar, ku ndër të tjera vlerësoi se normat e interesit të kredive janë rritur dhe kjo ka ndodhur edhe për kreditë në valutë dhe ato në lekë. “Normat mesatare për kredinë në lekë dhe atë në valutë kanë pësuar rritje në muajin tetor”, - vlerëson raporti i BSH-së. Ndërkaq gjatë muajit tetor, treguesit monetarë shfaqën një ngadalësim të rritjes së stokut monetar në terma vjetorë. Ritmi vjetor i rritjes së agregatit M3 pësoi një rënie në 12.5 për qind, ndërkohë që depozitat në total u rritën me 11.9 për qind në terma vjetorë. Sektori bankar ka vazhduar të mbështesë ekonominë me kredi gjatë muajit tetor, por duke shënuar një ngadalësim të ritmit të rritjes. Kredidhënia nga sistemi bankar vazhdon të mbështesë më së tepërmi bizneset, të cilët kontribuojnë me 66 për qind të zgjerimit të stokut. Normat e interesit në tregun ndërbankar janë luhatur në varësi të luhatjeve dhe të situatës së likuiditetit në sistemin bankar. Operacionet monetare të bankës së Shqipërisë janë orientuar drejt plotësimit të nevojave të tregut për likuiditet, duke ndikuar në të njëjtën kohë në stabilizimin e normave të interesit të tregut ndërbankar. Interesat për depozitat në lekë dhe në euro, ndonëse janë ulur pas përfundimit të ofertave verore, qëndrojnë në nivele relativisht më të larta sesa një vit më parë. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në mbledhjen e tij të datës 24 dhjetor 2008, mori në analizë zhvillimet më të fundit në inflacion, në aktivitetin ekonomik të vendit dhe në tregun financiar. Pasi u njoh me ecurinë e treguesve më të fundit në këtë drejtim, si dhe duke vlerësuar ecurinë e parashikuar të tyre në periudhën afatmesme, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar, në nivelin 6.25 për qind, normën e interesit të marrëveshjeve të riblerjes dhe të anasjelltë të riblerjes me afat maturimi njëjavor. Ky vendim mbështetet në parashikimet për presione të kontrolluara inflacioniste në periudhën e ardhme, në kushtet e qëndrueshmërisë së balancave makroekonomike, si dhe të pritjeve për inflacionin të ankoruara pranë objektivit të Bankës së Shqipërisë. Norma vjetore e inflacionit gjatë muajit nëntor shënoi vlerën 2.6 për qind, duke qenë afër objektivit të synuar nga Banka e Shqipërisë. Ruajtja e normës së inflacionit rreth nivelit të synuar prej 3 për qind është rezultat i përshtatshmërisë së kushteve monetare, të krijuara nga politika monetare e Bankës së Shqipërisë dhe masat rregullatore të marra prej saj, i ambientit të përshtatshëm makroekonomik, të karakterizuar nga kontrolli i balancave fiskale dhe asaj të sektorit të jashtëm të ekonomisë, si dhe nga ankorimi i pritjeve inflacioniste në ekonominë vendase. Inflacioni i çmimeve të konsumit ka qenë në rënie gjatë tre muajve të fundit, kryesisht si pasojë e uljes së çmimeve të lëndëve të para dhe të konsumit në tregjet botërore. Kontribuuesi kryesor në normën vjetore të inflacionit ishin kategoritë “ushqime të përpunuara”, “shërbime” dhe “çmime të administruara”. Gjatë muajit nëntor u regjistruan nivele të ulëta të inflacionit bazë, duke u luhatur rreth një mesatareje prej 2.4 për qind. Rënia e normave të inflacionit bazë dhe të inflacionit të produkteve të patregtueshme, si edhe qetësimi i efekteve të goditjeve të ofertës sugjerojnë se presionet inflacioniste janë zhvendosur në kahun rënës.

Banka “Credins” licencohet për veprimtarinë e faktoringut

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë në mbledhjen e radhës, miratoi kërkesën e Bankës “Credins” sh.a., për të shtuar në listën e veprimtarive të licencuara më parë edhe veprimtarinë shtesë të faktoringut dhe të financimit të transaksioneve tregtare, veprimtari për të cilën Banka “Credins” sh.a. vlerësohet se ka kushte administrative dhe teknike të nevojshme. Po kështu Këshilli Mbikëqyrës i BSH-së miratoi kërkesën për ndryshimin e pjesëmarrjes influencuese të aksionerit të Bankës “Credins” sh.a., z. Aleksandër Pilo.

Pas këtij miratimi, pjesëmarrja e z. Aleksandër Pilo rritet nga 15.1525 për qind në 23.64 për qind të aksioneve të kapitalit aksioner të Bankës “Credins” sh.a.

“Veneto Banca Holding” blen BIS Banka

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi kërkesën e “Veneto Banca Holding”, Itali, për blerjen e aksioneve të kapitalit aksioner të Bankës Italiane të Zhvillimit sh.a. nga aksionerët “Francesco Mariano Mariano” dhe “Banca Popolare Pugliese”, si dhe nënshkrimin e aksioneve të reja të emetuara të bankës që në total përbëjnë 76.83 për qind të aksioneve të kapitalit aksioner të bankës. Pas miratimit të këtij ndryshimi, pjesëmarrjet në kapitalin e Bankës Italiane të Zhvillimit sh.a. paraqiten: “Veneto Banca Holding” përfaqëson 76.83 % të aksioneve dhe “Francesco Mariano Mariano”, 23.17 %.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›