E Shtunë, 31 Tetor 2026

Importuesit e naftës luajnë me 5 lekë

25/12/2008  Ministri i Financave bën përmbledhjen e fundvitit. Privatizimi i OSSH-së drejt fundit

Bode: Ne kemi në dorë vetëm skemën që ata të paguajnë taksat deri te pakica

Ministria e Financave ka ndërhyrë në tregun e karburanteve vetëm duke taksuar importuesit e naftës deri te pika e pakicës. Kjo është skema që ka në dorë shteti. Ndërsa nuk flitet për të vendosur çmime reference, apo një rregullator në këtë aspekt. Deklaratën e ka bërë ministri Ridvan Bode gjatë konferencës së fundit për vitin 2008. Sipas tij, importuesit e karburanteve paguajnë çdo qindarkë në arkën e shtetit, sa i përket detyrimeve doganore dhe tatimore. “Në çdo fushë çmimet dhe pagat i vendos tregu. Nëse kemi ndërhyrë më parë me çmime reference kemi vendosur çmimet dysheme për të marrë taksa dhe jo për të komanduar tregun”, theksoi Bode.

Abuzimi me naftën

Ministri ka pranuar se importuesit janë shumë të ngurtë për uljen e çmimit të naftës, kur pëson ulje në bursën ndërkombëtare. “Për tregun e karburanteve sigurisht që e kemi bërë hapin, pasi ai që importon karburantin do të paguajë taksat deri në çmimin e pakicës. Pra, gjithë diferencat e taksave i paguan një për një në buxhetin e shtetit. Është krijuar ideja se ka një marzhë shumë të madh fitimi, mund t’ju them që nuk është aq i madh sa ç’mendoni ju. I gjithë tregu i karburanteve luan për 4 – 5 lekë të reja. Këtu është konkurrenca”, thekson Bode. E gjithë kjo situatë është në dëm të konsumatorëve, pasi rritja e çmimit është vetëm kosto për ta. “Kanë një të metë, të cilën unë e kam thënë dhe e përsëris publikisht që kur rriten çmimet në tregun ndërkombëtar, ata brenda 24 orëve rritin çmimet dhe sigurisht që për karburantet që kanë gjendje llogarisin se kanë bërë një fitim shumë të madh dhe janë shumë të kënaqur. Kur bien çmimet sigurisht që humbjen nuk e pranojnë, sepse përsëri kanë rezerva dhe çmimet e reja i gjen me mall të paguar më shtrenjtë dhe kërkojnë që këtë ulje ta nxjerrin deri në qindarkën e fundit duke mos reaguar ndaj tregut”, tha Bode. Sipas tij, janë rreth 50 kompani që importojnë karburante. “Pra, nuk ka monopol të licencave, autoriteti i konkurrencës ka të drejtën për të operuar”, komentoi ai.

Privatizimi i OSSH

Politikat subvencionuese për OSSH-në do të vijojnë edhe gjatë 2009-s. Sipas ministrit të Financave, po ndiqen procedurat ligjore normale për negocimin e kontratës. Me anën e aktit të fundit normativ Qeveria i akordoi 600 milionë lekë për të shlyer detyrimet. “Qeveria angazhohet që të gjitha detyrimet që mund të lindin, por jo nga institucionet buxhetore që shërbehen nga thesari, ne kemi marrë përsipër që të gjitha këto t’i subvencionojmë edhe gjatë vitit 2009”, tha Bode. Për vitin e ardhshëm do të jenë rreth 1.2 miliardë lekë për ndërmarrjet e ujësjellësve që të paguajnë vetë energjinë elektrike.

Zgjidhja, rritja e kërkesës

Kriza globale që ka “pushtuar” botën do të ketë si vit më të vështirë vitin 2009. Ministria e Financave për të përballuar ndikimet e saj ka dy skenarë. Njëra është krijimi i fondeve të kontigjencës, me shumë se 200 milionë dollarë të cilave vitin tjetër u shtohen edhe paratë e privatizimet të OSSH-së, INSIG-ut apo edhe paratë nga shitja e ARMO-s, si dhe rritje e kërkesës konsumatore. “Instrumentet që përdoren përballë një krize të këtij lloji janë të tilla që duhet mbajtur lart kërkesa e konsumatorëve dhe mendojmë që nuk është fjala vetëm për konsumin privat, por edhe për konsumin publik. Vende të tëra kanë filluar të mendojnë për të kaluar në situatë deficitare, sepse kanë qenë me suficit një pjesë e vendeve për të reaguar përballë kësaj krize”, sqaroi dje ministri Ridvan Bode. Sipas tij, 300 milionë euro nga tregu botëror është një lloj zëvendësimi i së njëjtës shume që ishte programuar të merrej nga tregu i brendshëm që ka norma më të larta interesi. Kështu sipas Bodes i çlirohen ekonomisë shqiptare dhe bankave 300 milionë euro që mund të kreditojnë biznesin.

Bode pro Fullanit për paratë e bankave

Ministri i Financave mbështet kërkesën e Bankës së Shqipërisë ndaj bankave të nivelit të dytë për të mos lejuar daljen e fitimeve jashtë kufijve të vendit. Sipas Bodes, sistemi bankar është i garantuar dhe likuid. “Por kujdesi që bën Banka e Shqipërisë për të rritur kapitalet është një veprim në kahun e duhur. Në të gjithë botën ju po e shihni që gjithë vendet po injektojnë kapitale në tregun bankar për të rritur sigurinë dhe garancinë e këtij sistemi. Ajo që po ndodh është që nuk po injekton buxheti, shteti para në sistemin bankar, por po u thotë aksionerëve që mbani kapitale për të qenë më të garantuar në sistemin tuaj”, theksoi në fjalën e tij ministri Bode, duke i ftuar qytetarët të rrinë në sistemin bankar. “Nëse do të ketë zhvlerësim, atë do ta pësojë më shumë qytetari që i ka futur paratë nën jastëk dhe jo ai që i ka në banka”, tha ministri. Sipas tij, kush nuk do të investojë në banka le të vijë te buxheti dhe të blejë bono thesari.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›