8 Marsi, Topi fal gratë mëkatare
Presidenti i Republikës firmosi falje dhe ulje dënimi për 31 gra të burgosura
TIRANË - Presidenti i Republikës, Bamir Topi, zgjedh festën e 8 Marsit për të falur dhe ulur dënimin e 31 grave të burgosura. Faljet e munguara në festat e nëntorit dhe ato të fundvitit vijnë për Festën e Nënave. Dhe ashtu siç pritej, në listën e hartuar nga Presidenca janë 31 të dënuara femra, që përfitojnë falje dënimi ose uljen e një pjese nga vitet e burgut që duhet të kryejnë. Në listën e grave të falura është dhe 73-vjeçarja Bedrie Veizati nga Delvina, e konsideruar si e burgosura më e moshuar në Shqipëri. Veizati është dënuar në datë 9 korrik 2003 nga Gjykata e Apelit Gjirokastër me 8 vjet heqje lirie për plagosjen e të shoqit, dënim të cilin duhet ta shlyejë deri në vitin 2011. Veç të burgosurës më të moshuar që nga nesër pritet të lënë qelitë e burgut 325 në kryeqytet, në listën e hartuar nga Presidenca,janë dhe një sërë emrash të dënuarash për vepra të rënda penale. Mimoza Shota, e dënuar me 8 vjet burg më 8 dhjetor të vitit 2003 për vrasjen e të dashurit të saj, Shkëlqim Shima, ditën e sotme pritet të lërë qelinë e burgut, pasi dekreti i Presidentit i fal tre vitet e burgut që duhet të shlyejë. Pasi rifitimit të lirisë, Mimoza, tashmë 23-vjeçare, do të përqafojë jashtë hekurave të qelisë Enean, që ndryshe nga çdo fëmijë tjetër, pati fatin e keq të lindë dhe të rritet brenda ftohtësisë së qelisë me nënën në burg dhe babanë e vrarë. Bashkë me Mimozën, qelinë pritet ta lënë dhe nëna e katër fëmijëve, Afërdita Lila, e cila është dënuar për vrasjen e bashkëshortit, Kudret Lilaj, oficer policie. Gjithashtu, në listën e faljeve të presidentit janë edhe të burgosura për vepra të rënda penale, të cilave u falën një ose dy vite nga dënimi. Shkurte Kozi e dënuar me 15 vjet burg nga Gjykata për Krime të Rënda në datën 26 shtator të vitit 2005, iu falën dy vjet nga dënimi i mbetur. 50-vjeçarja akuzohet se ka vrarë së bashku me djalin e saj, ish-dhëndrin Selami Idrizi, i cili kërkonte ribashkimin me ish-gruan. Violeta Molla është një tjetër e burgosur, së cilës iu ulën dy vite nga dënimi. Molla akuzohet për vrasjen e fqinjit të saj, Can Dusha, në fshatin Cukal të rrethit të Shkodrës, i cili u ekzekutua më 3 gusht të vitit 2002 pas thashethemeve për ekzistencën e një lidhjeje jashtëmartesore mes saj dhe viktimës. Në listën e faljeve është dhe emri i Vezire Sinës, së cilës i janë falur dy vite nga dënimi i gjykatës. Vezirja së bashku me motrën e saj, Myzafere, kanë pranuar vrasjen e të vëllait, Fatmirit, dhe babai, Sulejmanit, për të cilët fillimisht u dyshua se janë vetëvrarë. Nga lista e faljeve gjithashtu përfitoi dhe Vojsava Meta, e dënuar me 7 vjet heqje lirie, pasi u arrestua me një sasi të konsiderueshme heroine, në kuadër të operacionit “Ledi V”. E përzgjedhura e presidentit është dhe Oskeola Qosja, vajza simpatike nga Gramshi, e akuzuar për një sërë vjedhjesh. Gratë që iu falet ose iu ulet dënimi 1. Afërdita Zeqo Lilaj 2. Ariana Fadil Alla 3. Bedrie Veiz Veizati 4. Dallëndyshe Islam Dollani 5. Dava Preng Nikolli 6. Dilbere Mat Zhubi 7. Diana Demir Luli 8. Flora Maliq Greku 9. Hyrie Osmen Greku 10. Jonida Prokop Kajana 11. Katerina Zef Qytetaj 12. Leko Pelivan Greku 13. Liri Bajram Çepele 14. Mimoza Mustafa Shota 15. Miranda Novruz Pano 16. Naslie Xheladin Veizi 17. Nusha Mark Ceci 18. Nafije Bece Shquti 19. Ornela Çelnik Capo 20. Oskeola Mazllem Qosja 21. Qazime Qani Ferro 22. Shkurte Sali Kozi 23. Vezire Sul Sina 24. Violeta Qazim Danjeli 25. Valbona Myfit Frashëri 26. Vera Hysni Xhebraj 27. Vojsava Rifat Meta 28. Violeta Mark Molla 29. Zamira Adem Fresku 30. Zyra Kurt Kamberi 31. Zoje Mark Xhafa