E Diel, 1 Nëntor 2026

Rriten investimet për infrastrukturën rrugore

Autori i Lajmit: red.
Në qytetin e Lezhës me buxhetin e Bashkisë është duke u punuar në disa segmente të brendshme, për të siguruar rrugë dhe trotuare më të mira për qytetarët. Trotuari “Luigj Gurakuqi” është një nga segmentet rrugore ku ndërhyrja është më e nevojshme, pasi është një nga bulevardet kryesore të qytetit. Në këtë aks, firma sipërmarrëse si nënkontraktor i Bashkisë Lezhë, “Malvini ShPK, po punon më ritme të shpejta për të përfunduar punën brenda afatit 60-ditësh. Ndërhyrja në këtë pjesë të infrastrukturës së brendshme nuk është limituar vetëm tek ndërtimi, por edhe tek dekori dhe ndriçimi. Kryetari i Bashkisë Lezhë, Viktor Tushaj, tha se “e pamë të arsyeshme që të bëjmë pjesë të investimit edhe shtrirjen e kabllit elektrik nëntokësor, për të cilin kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë edhe me Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes”. Linja nëntokësore elektrike me një gjatësi rreth 350 metra do të bëjë të mundur eliminimin e kabllove në ajër, të cilat paraqesin edhe rrezikshmëri. Drejtori i OSSH-së Lezhë, Luigj Shyti, tha nga ana e tij se "OSSH-ja Lezhë do të ndërmarrë iniciativa dhe investime të tilla për ndriçimin dhe sistemimin e rrjetit, pasi është një ndërhyrje e domosdoshme". Investimi dhe projekti i kësaj rruge kap shifrën e rreth 9 milionë lekëve, të cilat janë dhënë nga buxheti i Bashkisë Lezhë.

Ky lajm është publikuar: 12/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›