E Shtunë, 31 Tetor 2026

QSUT-Pepa: “Nuk e jap dorëheqjen”

Autori i Lajmit: red.
Drejtori i spitalit "Nënë Tereza", Mati Pepa, ka refuzuar të japë dorëheqjen. Pas furtunës së ndryshimeve në shëndetësi ai është shprehur se ”nuk kam asnjë kërkesë zyrtare për t`u larguar nga posti”. Pepa i konsideron të suksesshëm 15 muajt në krye të QSUT-së, pavarësisht luftës së hapur kohët e fundit me ish-ministrin Nard Ndoka. Por sipas tij, zëvendësimet që po u bën Anila Godo menaxherëve me mjekë, janë hapa mbrapa në reformimin e shëndetësisë. Sipas burimeve nga Ministria e Shëndetësisë, emri që përflitet si zëvendësues i Pepës është ai i mjekes Gjeorgjina Kule. Ajo punon prej vitesh në Infektivin e Pediatrisë, pavijoni që ka drejtuar Godo, para se të zgjidhej ministre. Megjithatë, gjithçka mbetet në dorë të kryeministrit Berisha, i vetmi që ka kompetencën për të shkarkuar drejtorin e QSUT-së. Kjo nuk është hera e parë që emri i Pepës shkon në tavolinën e Kryeministrit, i cili për disa muaj rresht ka hedhur poshtë kërkesën për shkarkim që vinte nga zyra e Nard Ndokës. Prej një periudhe të gjatë kohore është folur për një shkarkim të mundshëm të drejtorit të QSUT-së, dhe kjo për shkak të krizës së rëndë që ka kaluar ky institucion gjatë vitit të fundit. Këtu mund të përmenden mungesat e ilaçeve, medikamenteve dhe aparaturave për një kohë të gjatë. Por duket se arsyeja e shkarkimit të drejtorit të QSUT-së nuk ka qenë kjo, por një përplasje politike mes ish-ministrit Nard Ndoka dhe Mati Pepës. Ky i fundit u emërua pikërisht një vit më parë në këtë detyrë si një ekonomist, i cili do të bënte menaxhimin e sistemit shëndetësor. Ndërkohë që vetë ish-ministri Ndoka premtoi se të gjithë drejtuesit e spitaleve duhet të ishin të këtij profesioni. Por deri më sot asnjë shkresë apo njoftim nuk ka shkuar në zyrën e drejtorit të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku kërkohet shkarkimi apo dorëheqja e tij nga ky institucion. Vetë Pepa, atëherë u shpreh se arsyet, për të cilat ai do të largohet, nëse kjo ndodh, janë politike dhe jo për reformim të sistemit shëndetësor.
Ky lajm është publikuar: 12/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›